Një studim i fundit nga Universiteti Tufts University në SHBA tregon se vitet e hershme të të rriturve, nga mosha 18 deri 25 vjeç, janë vendimtare për formimin e zakoneve të shëndetshme që ndikojnë në peshën trupore gjatë jetës.
Sipas studimit, gati një e treta e të rriturve amerikanë janë mbipeshë dhe 43% vuajnë nga obeziteti. Hulumtimi ka ndjekur studentët nga vitet e para të kolegjit dhe i ka rikontaktuar ata 11 deri 20 vjet më vonë për të parë ndryshimet në zakonet ushqimore, aktivitetin fizik, cilësinë e gjumit dhe peshën trupore.
Rezultatet tregojnë se studentët që ruanin zakonet e shëndetshme nga koha para kolegjit deri në moshën e të rriturit kishin shtim më të vogël në peshë, ndërsa ata me zakone jo të shëndetshme fituan më shumë peshë gjatë viteve. Rreth gjysma e të intervistuarve ruajtën stilin e tyre të jetesës, 31.7% përjetuan përkeqësim, ndërsa 18.6% përmirësuan zakonet e tyre.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Ushqyerjes, Christina Economos, theksoi se kampuset universitare kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e sjelljeve të shëndetshme që mund të ndikojnë gjatë gjithë jetës, duke përfshirë edukimin për gjumin, aktivitetin fizik të detyrueshëm, etiketimin e ushqimit dhe mjedise të shëndetshme në konviktet studentore.
Hulumtuesi Dan Hatfield shtoi se kolegjet mund të lehtësojnë adoptimin e zgjedhjeve të shëndetshme duke i bërë ato më të arritshme për studentët. Megjithatë, ndikimi i familjes dhe i mjedisit jashtë kampusit mbetet gjithashtu i rëndësishëm për krijimin e zakoneve të qëndrueshme.
Studimi i Tufts nënvizon rëndësinë e periudhës së hershme të të rriturve për formimin e stilit të jetesës dhe rolin e kolegjeve në luftën kundër obezitetit dhe problemeve të tjera shëndetësore të lidhura me peshën./mxh
