Komandanti i forcave amerikane për Amerikën Latine, Francis Donovan, kreu të mërkurën një vizitë të papritur në Venezuelë për bisedime mbi çështjet e sigurisë me autoritetet e përkohshme në Venezuelë, thanë zyrtarë amerikanë dhe venezuelanë.
Ky bëhet delegacioni ushtarak i parë amerikan që shkel atje pas operacionit të befasishëm të forcave të SHBA-ve që arrestuan dhe transferuan ish-presidentin Nicolás Maduro në New York për akuzat e trafikimit të drogës muajin e kaluar.
Gjatë qëndrimit në Caracas, Donovan dhe zyrtari i lartë i Pentagonit Joseph Humire u takuan me Presidenten në detyrë Delcy Rodríguez, Ministrin e Mbrojtjes, Vladimir Padrino dhe Ministrin e Brendshëm, Diosdado Cabello, ku dy të fundit përballen me aktakuza në SHBA lidhur me trafikimin e drogës.
Diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin për të luftuar narkotikët, terrorizmin dhe migracionin, dhe u dakordua që të punojnë së bashku në një agjendë të përbashkët sigurie. Autoritetet venezuelane theksuan se diplomacia duhet të jetë rruga kryesore për zgjidhjen e dallimeve me Uashingtonin.
Vizita vjen pas një misioni të fundit të Sekretarit të Energjisë të SHBA-ve, Chris Wright, në Caracas, duke sinjalizuar një fokus strategjik të qeverisë së Donald Trump për të përdorur si forcë ushtarake ashtu edhe politikë energjetike për të nxitur reforma në Venezuelë.
Sipas Komandës së Jugut të SHBA-ve, bisedimet u përqendruan gjithashtu në stabilizimin e Venezuelës sipas “planit me tre faz” të administratës amerikane, si dhe rëndësinë e sigurisë së përbashkët në hemisferën perëndimore.
Kjo vizitë është e para e një zyrtari të kësaj niveli ushtarak në Venezuelë në vitet e fundit, pas dekadash marrëdhënie të prishura me qeveritë e mëparshme./kb
