Projekti GovTech po përballet me vonesa në zbatim pas ndryshimeve në nivelin drejtues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Vlerësimi i progresit është ulur mbi këtë projekt nga Banka Botërore. Në raportin më të fundit të Statusit të zbatimit, progresi drejt objektivave është vlerësuar si “Mesatarisht i Kënaqshëm”, një ulje nga statusi më i lartë i mëparshëm që ishte “I kënaqshëm”. Edhe zbatimi në tërësi ka pësuar ulje.
Raporti nënvizon ecurinë në disa komponentë kyç, përfshirë zhvillimin e qendrës omni-channel të kontaktit dhe përmirësimet teknike të portalit e-Albania duke nënvizuar edhe sfidat që mund të jenë ndeshur gjatë periudhave të ndryshme kohore të projektit. Banka Botërore parashikon që këto sfida të adresohen para dhe gjatë rishikimit të mesëm të projektit, i planifikuar për gusht 2026.
“Progresi vazhdon në të gjitha fushat e rezultateve, me disa tregues ndërmjetës të arritur dhe disbursime në proces. Ndryshimet e fundit në menaxhimin e lartë të AKSHI-t kanë vonuar verifikimin e disa DLR-ve, dhe vlerësimi i progresit të zbatimit është ulur në Mesatarisht i Kënaqshëm (Moderately Satisfactory).
Progresi drejt Objektivit të Zhvillimit të Projektit gjithashtu vlerësohet si Mesatarisht i Kënaqshëm për shkak të kufizimeve të të dhënave që ndikojnë në matjen e treguesve të PDO-së. Këto çështje të monitorimit dhe vlerësimit do të adresohen para dhe gjatë rishikimit të mesëm, i cili pritet të kryhet deri në gusht 2026” thuhet në dokument.
Ngadalësimi i zbatimit ndodh ndërsa AKSHI është në qendër të hetimeve të SPAK për procedurat e tenderëve dhe menaxhimin e kontratave publike. Hetimet kanë përfshirë kontrolle në zyrat e agjencisë dhe masa sigurie ndaj ish-drejtorëve dhe zyrtarëve të AKSHI për dyshime për favore në procedura prokurimi.
Totali i financimit për projektin e Govtech është 65 milionë dollarë amerikanë, duke përfshirë një komponent prej 60 milionë dollarë dhe një komponent tjetër prej 5 milionë dollarë, ndërsa më vonë Banka Botërore miratoi një financim shtesë prej 80 milionë dollarë për zgjerimin dhe përshpejtimin e aktiviteteve të digjitalizimit. Në total, kjo sjell një mbështetje financiare rreth 145 milionë dollarë për zbatimin e programit, nga të cilat deri më tani janë disbursuar 22.78 milionë dollarë./monitor.al
