Last Updated on 17/02/2025 by adminfjala
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, në fjalën e tij të mbajtur në Parlament u ka bërë thirrje emigrantëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Balla tha se për sa i përket kërkesës që emigrantët të votojnë me dokumente të huaja, i takon KQZ-së.
Po ashtu ai i është përgjigjur edhe deputetes Ina Zhupa, e cila tha se mazhoranca nuk bën dot takime të mëdha pa patronazhistët. Balla duke iu drejtuar Zhupës tha se PS kërkon nga Diaspora 84 mandate që mos të mbeten peng i votave të PD-së.
“Emigrantëve u them se ndërsa keni edhe 2 javë kohë, ju lutem shfrytëzoni këtë kohë për të rritur numrin e bashkatdhetarëve tanë. Ta votojnë afatin e regjistrimit me regjistrimin e koalicioneve, kandidatëve, për t’i lënë më shumë kohë postës. Ju e keni kuptuar se është e pamundur që dikush të votojë me një dokument të një shteti tjetër.
Është e pamundur në asnjë vend të botës që dikush të votojë me një dokument të një shteti tjetër. Ne jemi një shtet prej vitit 1912, jemi krenarë që kemi bërë hapa dhe për sa i përket integritetit të proceseve zgjedhore. Kemi sanksionuar se në Shqipëri mund të marrësh pjesë në zgjedhje me dokumente biometrike. I takon autoritetit që organizon zgjedhjet të shprehet për këtë çështje.
Një deputete këtu guxoi të hyjë në krahasime për sa u përket takimeve me diasporën. Biem dakord se takime si ato në Athinë, në Milano, në SHBA, apo në Londër ju nuk i bëni dot. Ju nuk e bëni dot në Tiranë një takim si këto. Ajo që duam ne nga diaspora nuk është të kemi mandatet për të qeverisur, por të kemi 84 mandate për të bërë reforma që të mos mbetemi peng i votave tuaja. Diaspora do t’i japë PS-së 84 mandate për të bërë reforma”, tha Balla./ S,M