Last Updated on 13/08/2026 by EL
Disa javë pasi efektivi i forcave Shqiponja, Enea Mekolli, humbi jetën dhe kolegu i tij u plagos rëndë gjatë aksionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Bracellari, Prokuroria, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ka nisur një hetim ndaj zinxhirit drejtues të Policisë së Korçës.
Bëhet me dije se po hetohet nëse ka pasur një plan operacional për kapjen e të shumëkërkuarit dhe nëse janë analizuar me kujdes të gjithë elementët e sigurisë përpara se efektivët të dërgoheshin në aksion.
Mësohet se në kuadër të këryre hetimeve, janë duke u kryer një sërë akt-ekspertimesh, që nga armët me të cilat ishin pajisur policët në aksion, antiplumbët që mbanin, si dhe është duke u analizuar me kujdes mënyra e ndërhyrjes.
Mbetet për tu parë në ditet në vijim nëse do të ketë procedime penale në lidhje me këto hetime që po kryen.
Enea Mekolli humbi jetën gjatë operacionit për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari u organizua pas kallëzimit të një 32-vjeçari, i cili prej disa ditësh punonte si çoban pranë bagëtive të tij. Ky i fundit denoncoi në polici se ishte dhunuar dhe kërcënuar me qytën e armës nga Braçellari. Në dëshminë e tij, ai tregoi edhe vendndodhjen ku qëndronte 43-vjeçari, pranë stallave të bagëtive, duke informuar se ai dispononte një armë automatike dhe një armë gjahu.
Mëngjesin e 4 qershorit, rreth orës 07:00, forcat e Policisë së Korçës iu afruan zonës sipas planit operacional të hartuar për arrestimin e tij. Ndërsa efektivët po kryenin rrethimin e ndërtesave pranë stallave, dhe pa u përmbyllur ende operacioni, Braçellari hapi zjarr në drejtim të tyre.
Nga breshëria e plumbave mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Pas shkëmbimit të zjarrit, autori tentoi të largohej me vrap në drejtim të poshtëm të stallave, por, i plagosur u neutralizua dhe u arrestua vetëm pak metra më tej.
Pranë vendit ku u kap, hetuesit gjetën një armë automatike pa fishekë, me qytë dhe bajonetë të montuar. Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, ndërsa u morën edhe mostra biologjike për ekzaminime të mëtejshme laboratorike./et
