Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shpallur fajtor për akuzat që lidhen me përdorimin e armës dhe bombolës së gazit, në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq, është refuzuar aktakuza për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar”, raporton Ekonomia Online.
Rasti lidhet me ngjarjen e 21 marsit 2018, kur në Kuvendin e Kosovës u hodh gaz lotsjellës gjatë seancës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Me rastin e shpalljes fajtor të të akuzuarit për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Gjykata rikualifikoi veprën nga paragrafi 2 në paragrafin 1.
Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, Gjykata mori aktgjykim refuzues.
Për veprën penale për të cilën u shpall fajtor ministri në detyrë, gjykatësi Sabit Sadikaj tha se vendimi mbi dënimin do të shpallet pas mbajtjes së seancës ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese, seancë e cila do të bëhet më 8 shtator 2026.
I akuzuari Sveçla mungoi në seancë, ndërkaq i pranishëm ishte avokati i tij, Laur Prenaj.
Për këtë rast, përveç Sveçlës, aktakuza e ngritur më 29 korrik 2019 përfshinte edhe ish-deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba.
Në seancën e kaluar, gjatë deklarimit në gjykatë, Sveçla tha se veprimi i tyre kishte qenë politik dhe se nuk e ndien veten fajtor.
“Nuk e ndiej veten fajtor… Akti ynë ka qenë një akt tërësisht politik, me qëllim jo të pengojmë personat në kryerjen e detyrës zyrtare, por të parandalojmë faljen ose shitjen e 8,200 hektarëve tokë të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar ai.
Ndërkohë, Gjykata ka vendosur ta ndajë procedurën penale ndaj Sveçlës nga ajo e të pandehurve të tjerë në këtë rast./k.m
