Ukraina ka mohuar të dielën, 31 maj, pretendimet e Moskës se një dron ukrainas ka goditur centralin bërthamor të Zaporizhzhias, ndërsa në të njëjtën kohë ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike brenda Rusisë gjatë natës.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, dronët ukrainas kanë goditur rafinerinë e naftës në Saratov, në jugperëndim të Rusisë, duke shkaktuar një “zjarr në shkallë të gjerë”. Autoritetet ukrainase thonë se ende po vlerësohen dëmet, ndërsa pretendojnë se kjo rafineri furnizon drejtpërdrejt makinerinë e luftës së Moskës.
Rafineria i përket gjigantit shtetëror rus të naftës Rosneft dhe prodhon naftë dizel, benzinë dhe produkte të tjera të karburantit. Guvernatori lokal rus, Roman Busargin, deklaroi se dronët ukrainas kanë dëmtuar “infrastrukturë civile”, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ukraina ka shtuar ndjeshëm sulmet ndaj objekteve të naftës dhe gazit në Rusi muajt e fundit, duke argumentuar se këto burime financojnë drejtpërdrejt pushtimin rus që po zgjat prej më shumë se 4 vitesh.
Ndërkohë, mbetje dronësh shkaktuan zjarr në një depo karburanti në rajonin Rostov, në jugperëndim të Rusisë, pranë kufirit me territoret e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore. Guvernatori Yuriy Slyusar tha se banorët e zonës u evakuuan për siguri. Shtabi ukrainas konfirmoi se forcat e tij qëndrojnë pas sulmit në qytetin Matveev Kurgan, ku u raportua një zjarr i madh.
Ukraina gjithashtu pretendon se ka goditur një stacion pompimi nafte në rajonin Kirov, më shumë se 1 200 kilometra larg territorit të kontrolluar nga Kievi. Ky stacion shërben për transportimin e naftës nga Siberia drejt Bjellorusisë. Autoritetet ruse konfirmuan një sulm me dron, por nuk dhanë detaje për dëmet.
Në lidhje me centralin bërthamor të Zaporizhzhia-s, Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella. Kompania shtetërore ruse Rosatom tha se një dron ukrainas kishte shpërthyer në një sallë turbine të njësisë së gjashtë të centralit, duke e cilësuar sulmin si të qëllimshëm. Sipas saj, nuk ka dëmtime në pajisjet kryesore.
Ushtria ukrainase i hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur “propagandë ruse” dhe duke theksuar se nuk ka kryer asnjë sulm ndaj centralit. Ajo shtoi se në atë moment nuk kishte luftime aktive në zonë dhe nuk janë përdorur armë që mund të kenë goditur objektin.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) konfirmoi se një dron ka goditur centralin, por theksoi se nivelet e rrezatimit mbeten normale.
Centrali i Zaporizhzhias, më i madhi në Europë, ka qenë disa herë në qendër të tensioneve që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, me Moskën dhe Kievin që vazhdimisht fajësojnë njëri-tjetrin për sulmet.
Ndërkohë, mbrojtja ajrore ukrainase tha se ka rrëzuar 212 nga 299 dronë rusë të lëshuar gjatë natës. 14 prej tyre kanë arritur objektivat, ndërsa mbetje dronësh kanë rënë në pesë zona të ndryshme.
Nga ana tjetër, dronët rusë goditën qytetin Dnipro dhe një rafineri në rajonin Rivne të Ukrainës, duke shkaktuar zjarre. Autoritetet lokale raportuan se nuk ka të lënduar në Rafinerinë e Rivnes dhe se shërbimet emergjente janë në vendngjarje./mxh
