Zgjedhjet presidenciale të së dielës në Portugali pritet të shkojnë në një raund të dytë votimi për herë të parë në 40 vitet e fundit, si pasojë e fragmentarizimit në rritje të skenës politike. Kështu tregon një sondazh i ri i publikuar të mërkurën.
Sipas sondazhit të Universitetit Katolik, të botuar nga e përditshmja Publico, kandidati i ekstremit të djathtë dhe kreu i partisë kryesore opozitare Chega, Andre Ventura, kryeson ngushtë me 24 për qind të votave të mundshme. Pas tij renditet kandidati socialist Antonio José Seguro me 23 për qind, ndërsa kandidati i Iniciativës Liberale, Joao Cotrim de Figueiredo, ndodhet shumë pranë, brenda kufirit të gabimit prej 2.2 për qind.
Dy kandidatë të tjerë, mes tyre edhe Luis Marques Mendes i mbështetur nga Partia Social Demokrate, kanë secili nga 14 për qind të mbështetjes.
Sondazhe të tjera më të vogla, të publikuara ditët e fundit, tregojnë një garë po aq të ngushtë mes pesë kandidatëve kryesorë për një post që, megjithëse kryesisht ceremonial, i jep presidentit kompetenca të rëndësishme, përfshirë shpërndarjen e parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Vetëm një herë më parë, që nga fundi i diktaturës, Portugalia ka zhvilluar një raund të dytë në zgjedhjet presidenciale, çka nënvizon ndikimin në rritje të së djathtës ekstreme dhe lodhjen e elektoratit nga partitë tradicionale.
Megjithëse kryeson në sondazhe, Andre Ventura përballet me një normë refuzimi mbi 60 për qind, gjë që sugjeron se ai do të humbiste në një balotazh përballë cilitdo prej katër rivalëve kryesorë./mxh
