**
Një zjarr i madh ka përfshirë të dielën një magazinë të kompanisë ruse të tregtisë online Wildberries në rajonin e Samarës, pas një sulmi. Kompania bëri të ditur përmes një postimi në Telegram se nuk ka raportime për viktima dhe se zinxhiri logjistik është riorganizuar, ndërsa pranimi i mallrave dhe dërgimi i porosive po kryhen nga qendra të tjera.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha që kanë përfshirë ndërtesën dhe re të dendura tymi të zi që ngrihen në qiell.
Në korrik, forcat ukrainase goditën disa qendra logjistike të Wildberries në Rusi, në kuadër të asaj që Kievi e quan “sanksione me rreze të gjatë”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se këto magazina përdoreshin për furnizimin e ushtrisë ruse me pjesë për dronë dhe pajisje navigimi.
Wildberries, e themeluar në vitin 2004 nga miliarderja ruse Tatyana Kim, është platforma më e madhe e tregtisë online në Rusi. Në faqen e saj ofrohen edhe produkte si thika, helmeta, veshje kamuflazhi dhe pajisje për shikim nate.
Ndërkohë, Zelensky njoftoi se vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka lëshuar ndaj Ukrainës rreth 1.900 dronë, afro 1.600 bomba ajrore dhe 144 raketa, duke goditur 16 rajone të vendit. Sipas tij, një person humbi jetën nga një sulm me dron në Brovari, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se gjatë natës Rusia sulmoi me 133 dronë dhe municione fluturuese, ndërsa mbrojtja ajrore neutralizoi ose rrëzoi 109 prej tyre.
Në të njëjtën kohë, Zelensky përsëriti thirrjen ndaj aleatëve për të furnizuar Ukrainën me më shumë raketa Patriot, duke theksuar se këto sisteme duhet të përdoren për mbrojtjen e civilëve dhe jo të mbeten në depo.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se SHBA nuk ka rënë ende dakord t’i japë Ukrainës teknologjinë për prodhimin e raketave Patriot, megjithëse gjatë samitit të NATO-s në Turqi kishte lënë të kuptohej se Uashingtoni do t’i jepte Kievit një licencë për prodhimin e tyre./kb
