**
Një studim i ri nga University of California, Davis, i publikuar në PNAS, ka zbuluar mekanizmin që qëndron pas një prej veçorive më të pazakonta të avokados: lulet e saj kalojnë nga faza femërore në atë mashkullore gjatë ditës për të favorizuar pjalmimin e kryqëzuar. Avokado është një nga frutat më të kultivuara në botë dhe parashikohet që deri në vitin 2030 të bëhet një nga kulturat tregtare më të rëndësishme. Megjithatë, kultivimi i saj mbetet sfidues për shkak të kërkesës së lartë për ujë dhe vështirësive në pjalmim.
Të gjitha pemët e avokados janë hermafrodite, pasi kanë si organet mashkullore ashtu edhe ato femërore. Por ato nuk funksionojnë njëkohësisht. Pemët e tipit A hapin lulet femërore në mëngjes dhe ato mashkullore pasdite, ndërsa pemët e tipit B bëjnë të kundërtën. Kjo strategji ul ndjeshëm rrezikun e vetëpjalmimit dhe ruan diversitetin gjenetik.
Duke analizuar gjenomin e qindra pemëve, studiuesit identifikuan një gjen të vetëm, të quajtur SDMYB, i cili kontrollon hapjen e luleve dhe ndryshon aktivitetin e tij gjatë ditës, duke përcaktuar nëse lulja funksionon si mashkull apo si femër.
Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se i njëjti mekanizëm gjendet në të paktën 26 specie të tjera bimore dhe mendohet se është shfaqur rreth 40 milionë vite më parë.
Ky zbulim mund të ketë vlerë të madhe për bujqësinë, pasi do t’u lejojë fermerëve të përcaktojnë llojin e një peme avokadoje shumë vite përpara lulëzimit të saj të parë, i cili në disa raste ndodh vetëm pas 15 vitesh./FC
