Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se banorët e prekur nga zjarri në banesat e tyre do të mbështeten me bonuse qiraje.
Kryeministrit në një postim në rrjetet sociale ritheksoi se pallati do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi.
“Po, banorët e prekur nga zjarri në banesat e tyre do të mbështeten me bonuse qeraje, deri kur të rikthehen së shpejti në pallatin e riparuar 100% nga ndërtuesi”, shkruan Rama.
Nga ana tjetër “Arlis Construction” shprehu solidaritetin e plotë dhe mbështetjen e sinqertë për të gjithë banorët e dëmtuar nga ngjarja e fundit që ka prekur objektin në zonën e “Farmacia 10”.
Sipas kompanisë, objekti ishte ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse, pa asnjë shtesë katesh apo devijim nga projekti i aprovuar, përveç sistemimeve anësore siç janë verandat, të cilat gjithashtu janë miratuar nga organet kompetente.
Më tej theksohej se, shoqëria “Arlis Ndërtim” sh.p.k., pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, mori përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjitha apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit./ kb
