Last Updated on 16/10/2026 by Monika
Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2026–2027, duke vënë në dispozicion një fond prej 15 milionë eurosh për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë.
Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, në një intervistë për televizionin SCAN, e ka vlerësuar këtë vendim si një hap pozitiv, por ka theksuar se mbështetja duhet të shoqërohet me lehtësimin e kritereve, në mënyrë që të përfitojnë më shumë familje.
Sipas tij, kategoritë pensionare dhe familjet që përfitojnë nga skemat sociale përballen me vështirësi të shtuara për shkak të kostos së lartë të energjisë elektrike.
“Shpresoj që kriteret të zbuten më shumë se në vitet e kaluara, në mënyrë që të rritet pragu dhe të përfitojnë më shumë familje. Duhet të rriten edhe mjetet buxhetore për këto kategori, sepse e kanë jetën më të vështirë dhe e kanë më të vështirë përballimin e shpenzimeve”, u shpreh Bellaqa.
Eksperti kujtoi se kjo skemë nuk zbatohet për herë të parë, por në vitet e kaluara kriteret e përcaktuara kanë kufizuar numrin e familjeve përfituese. Sipas tij, pragu i konsumit prej rreth 800 kilovat-orësh ka bërë që shumë familje të mos përfitonin nga subvencionimi, pasi e tejkalonin kufirin e përcaktuar.
“Shpresoj që këtë vit kriteret të jenë më të larta. E mira do të ishte që pragu të shkonte deri në 1.200 kilovat-orë, në mënyrë që të përfitonte një pjesë e mirë e familjeve, sepse jeta është bërë e papërballueshme”, deklaroi ai.
I pyetur nëse subvencionimi mbulon të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar apo vetëm një pjesë të saj, Bellaqa sqaroi se skema është e lidhur me pragjet e përcaktuara të konsumit dhe kriteret e përfitimit. Ai theksoi se familjet që i tejkalonin kufijtë në skemat e mëparshme mbeteshin jashtë mbështetjes.
Bellaqa nënvizoi gjithashtu se, krahas pensionistëve dhe familjeve në skemat sociale, vështirësi kanë hasur edhe familjet me më shumë se dy anëtarë, të cilat, sipas tij, nuk kanë mundur të përfitojnë për shkak të kritereve të shtrënguara.
Eksperti vlerësoi se fondi i parashikuar për periudhën 2026–2027 përbën një hap përpara, por kërkoi që mbështetja të zgjerohet më tej.
Ai ngriti gjithashtu nevojën që edhe bizneset të përfshihen në skema subvencionimi, duke pasur parasysh kostot e energjisë elektrike.
Sipas Bellaqës, mbetet për t’u parë se cilat kritere do të përcaktojë qeveria për përfituesit dhe kur do të nisë zbatimi i programit të ri, ndërsa lehtësimi i kushteve do të ishte thelbësor për të garantuar mbështetje më të gjerë për familjet që përballen me vështirësi ekonomike./mxh
