Në dhjetor të vitit 1792, Franca revolucionare përjetoi njërën nga skenat më dramatike të historisë së saj: gjykimin e mbretit Luigji XVI. Përballja e një monarku të dërguar para drejtësisë nga vetë populli i tij ishte diçka e paimagjinueshme pak vite më parë, por vala e Revolucionit Francez kishte shembur të gjitha tabu, duke e kthyer gjyqin e mbretit në një akt simbolik të sovranitetit popullor.
Luigji XVI doli para Konventës Kombëtare nën akuzën e rëndë të tradhtisë. Ai u përball me 33 pika akuze – që nga shkelja e sovranitetit të vendit deri te gjakosja e francezëve gjatë trazirave. Në sallën e ftohtë të Konventës, ndërsa i lexoheshin akuzat, mbreti dëgjoi me qetësi, duke mbajtur të njëjtin ton të përmbajtur që e kishte karakterizuar gjatë gjithë jetës së tij publike.
Kur iu dha fjala, Luigji XVI u përgjigj me një deklaratë që tronditi edhe kundërshtarët më të vendosur. Ai tha:
“Kurrë nuk kam pasur frikë nga shqyrtimi publik i sjelljes sime, por zemra më bëhet copë nga akuzat se unë kam derdhur gjakun e popullit tim. Kam vepruar gjithmonë i udhëhequr nga dashuria për popullin dhe nuk kam pasur frikë të dal para drejtësisë, vetëm që të kursehej jeta e francezëve.”
Fjalët e tij nuk mjaftuan për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Në votimin që pasoi, atmosfera ishte e tensionuar. 26 deputetë munguan, disa të tjerë abstenuan, duke deklaruar se ishin zgjedhur për të bërë ligje, jo për të gjykuar një mbret. Një grup tjetër prej 26 deputetësh bashkëngjitën kushte për votat e tyre.
Megjithatë, rezultati ishte i qartë: të 690 deputetët që morën pjesë votuan “po, fajtor”. Asnjë nuk guxoi të thoshte “jo”. Çështja që mbeti ishte masa e dënimit.
Këtu Konventa u përça mes zemrës dhe arsyes së revolucionit: 310 deputetë kërkuan mëshirë, ndërsa 380 të tjerë votuan për dënimin kapital. Fitorja e shumicës vulosi fatin e Luigji XVI.
Më 21 janar 1793, në Sheshin e Revolucionit – sot Place de la Concorde – mbreti i Francës u dërgua para gijotinës. Ekzekutuesi Henri Sanson dëshmoi se ish-mbreti e priti vdekjen me qetësi dhe dinjitet, duke u ngjitur drejt skelës me një kurajë që impresionoi edhe ata që kishin vendosur t’i merrnin jetën.
Rënia e Luigji XVI nuk ishte thjesht fundi i një mbretërimi. Ishte një kthesë epokale që i dërgoi botës mesazhin se sovraniteti nuk rridhte më “nga hiri i mbretit”, por nga vullneti i popullit. Një mesazh që do të linte gjurmë të pashlyeshme në historinë e Europës dhe në lindjen e rendit modern politik.
Përgatiti: L. Veizi
