Last Updated on 01/02/2025 by adminfjala
1874 shqiptarë në listë për t’u dëbuar
Administrata e Donald Trump ka urdhëruar dëbimin e 1874 shqiptarëve që qëndrojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Deportimet janë pjesë e masave të reja të Trump-it për emigracionin dhe prekin mijëra të huaj në SHBA. Po ashtu Uashingtoni ka pezulluar fondet për SPAK dhe Reformën në Drejtësi.
Administrata e presidentit Donald Trump ka urdhëruar kthimin e menjëhershëm të 1874 shqiptarëve që qëndrojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky vendim është pjesë e një strategjie të gjerë për dëbimin e emigrantëve pa dokumente, e cila synon miliona persona nga vende të ndryshme. Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të emigrantëve të paligjshëm nga Ballkani Perëndimor që preken nga kjo valë dëbimesh. Sipas të dhënave të Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, numri i tyre është shumë më i lartë krahasuar me vendet fqinje si Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Trump ka urdhëruar përshpejtimin e procedurave të dëbimit duke hequr proceset e gjata gjyqësore për një pjesë të madhe të emigrantëve. Ky vendim ka ngjallur reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat argumentojnë se kjo praktikë shkel të drejtat e emigrantëve për një gjykim të drejtë. Përveç dëbimeve, administrata e Trump ka marrë edhe masa të tjera që prekin Shqipërinë. Një nga vendimet më të rëndësishme është pezullimi i një pjese të fondeve për programet e drejtësisë në vend, përfshirë mbështetjen për SPAK dhe sistemin e drejtësisë. Sipas burimeve nga SHBA, ky pezullim lidhet me rishikimin e ndihmave për vendet e huaja dhe rikthimin e prioriteteve brenda SHBA. Gjithashtu, administrata e Trump ka rritur presionin ndaj vendeve që nuk bashkëpunojnë me deportimet, duke kërcënuar me kufizime vizash për ata që refuzojnë të pranojnë shtetasit e tyre të dëbuar. Kjo politikë mund të ndikojë në regjimin e vizave për Shqipërinë në të ardhmen. Ky vendim ka shkaktuar debate të shumta në SHBA dhe Shqipëri. Disa ekspertë e mbështesin si një hap të nevojshëm për të forcuar ligjin e emigracionit, ndërsa kritikët paralajmërojnë se dëbimet masive mund të krijojnë probleme ekonomike dhe sociale për vendet që i pranojnë emigrantët e kthyer. Ndërkohë, pritet që qeveria shqiptare të bëjë një deklaratë zyrtare mbi mënyrën se si do të menaxhohet rikthimi i mijëra emigrantëve, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë përpjekje për të negociuar një shtyrje të afateve të dëbimit.
Dashamir Shehi: Politika po ushtron presion për votën e diasporës, rrezikohet liria e zgjedhjeve
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, ka akuzuar forcat politike në Shqipëri për presion ndaj votës së diasporës, duke paralajmëruar se ndërhyrjet e tyre mund të cenojnë lirinë e zgjedhjeve për emigrantët shqiptarë. Në një deklaratë për mediat nga selia e LZHK-së, Shehi theksoi se ligji për votën e diasporës u miratua për të garantuar një të drejtë demokratike dhe jo për të kthyer emigrantët në një shtojcë të politikës shqiptare jashtë vendit. Sipas Shehit, partitë politike shqiptare nuk po veprojnë në frymën e zgjerimit të hapësirës demokratike, por po tentojnë ta përdorin diasporën si një mjet të ri për të fituar avantazh elektoral. Ai e konsideroi shqetësues faktin që emigrantët, të cilët për një kohë të gjatë janë parë si një zë i pavarur, po bëhen objekt i një lufte të njëjtë politike që zhvillohet në Shqipëri. “Po shohim që të gjitha partitë janë vërsulur për të siguruar votën e diasporës, por jo me synimin për të ndihmuar procesin demokratik. Ata po eksportojnë konfliktet e brendshme politike tek emigrantët, duke i ndarë mes tyre, ashtu siç ndodh në Tiranë. Ne bëmë ligjin për t’u dhënë të drejtën e votës atyre që janë larguar nga Shqipëria, por jo për të eksportuar përçarjen dhe presionin politik atje ku ata jetojnë,” tha Shehi. Ai shtoi se emigrantët shqiptarë kanë përjetuar një kulturë politike më të avancuar dhe janë të çliruar nga frika e ndëshkimeve që ndodh në Shqipëri, duke punuar dhe investuar në vende me sisteme demokratike të konsoliduara. “Ata janë më të emancipuar dhe nuk i frikësohen pushtetit, sepse nuk jetojnë dhe nuk varen nga qeveria shqiptare. Por, nëse ne u çojmë atje mentalitetin tonë, atëherë ata nuk do të votojnë më të lirë, por do të bien pre e ndikimeve politike, ashtu siç ndodh në Shqipëri,” theksoi ai. Duke folur për angazhimin e LZHK-së në këtë çështje, Shehi kujtoi se ka propozuar dy projektligje në Parlament për të garantuar një proces të drejtë dhe të mbrojtur për votën e emigrantëve. Ai bëri thirrje që të mos përdoren taktika të njohura të politikës shqiptare, si presioni, patronazhistët apo influenca ekonomike, për të orientuar votën e tyre. “Ne nuk duam që diaspora të kthehet në një tjetër zonë ku politika shqiptare të ushtrojë presion. Ata duhet të votojnë të lirë, jo të influencuar nga partitë e mëdha, të cilat i shohin thjesht si një burim të ri votash. Ligji u bë për të garantuar të drejtën e tyre, jo për të zgjatur ndikimin politik të partive edhe jashtë Shqipërisë,” përfundoi Shehi. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur çështja e votës së diasporës po kthehet në një debat të fortë mes forcave politike në Shqipëri, me disa që kërkojnë lehtësimin e procesit të votimit dhe të tjerë që paralajmërojnë për rrezikun e manipulimeve.