Last Updated on 12/03/2026 by Anisa
Deputeti i PD-së Belind Këlliçi akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se ngriti kartonat në Kuvend për të krijuar “imunitet ekstra” para drejtësisë dhe për të mbrojtur korrupsionin. Ai komentoi rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Balluku, duke e konsideruar një shkelje të hapur të drejtësisë dhe një rekord të turpshëm historik.
Kelliçi tha se aferat për të cilat hetohet Balluku lidhen drejtpërdrejt me Edi Ramën dhe se mbrojtja e saj është bërë më e rëndësishme se integrimi i vendit, raportet me Brukselin, barazia para ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Ai paralajmëroi se ky “regjim hajdutërie” nuk do të ketë jetë të gjatë dhe se shqiptarët nuk meritojnë një Republikë të Korrupsionit.
Reagimi i plotë:
Edi Rama sapo ngriti kartonat në Kuvend për të krijuar imunitet ekstra para drejtësisë dhe për të mbrojtur korrupsionin, duke shënuar një rekord të shëmtuar e historik.
Rrëzimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, e pandehur me akuzën e shpërdorimit të 1.1 miliardë eurove, është kufiri që Edi Rama i vendos drejtësisë.
Eshtë e qartë se aferat për të cilat hetohet Balluku, janë afera të Edi Ramës, ku ai është totalisht i përfshirë. Ndaj, mbrojtja e saj u bë për Kryeministrin e shumicën, më e rëndësishme se integrimi i vendit, se raportet me Brukselin, se barazia para ligjit, se lufta ndaj korrupsionit.
Me votimin e turpshëm sot që do të mbahet mend gjatë dhe do të ngelet si vepër e Edi Ramës dhe e të gjithë atyre deputetëve që ngritën kartonin pro-korrupsionit e kundër drejtësisë, u shkel haptazi vija e kuqe.
Shqipëria nuk e kaloi testin kritik.
Edi Rama u tregoi qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, me votë, me vendim Parlamenti, se ai ngriti sot sulltanatin e tij privat.
Ky regjim hajdutërie i themeluar sot në Kuvend, nuk do ta ketë jetën të gjatë sepse është ngritur kundër vlerave, parimeve e aspiratave të shumicës së shqiptarëve.
Shqiptarët nuk meritojnë të kenë një Republikë të Korrupsionit, ku abuzimi me fondet publike dhe paratë e shqiptarëve mbrohet me votë.
Vendi ynë sot është pranë një gremisje të rrezikshme. Por, në honin e zullumit të tij do të bjerë Edi Rama.
Bashkë me qytetarët, nuk do lejojmë që ai të marrë me vete dhe Shqipërinë.