Last Updated on 22/08/2025 by adminfjala
Sesioni parlamentar i Kuvendit të zgjedhur më 11 maj nis punimet në muajin shtator, por opozita përveçse është në krizë, ka shfaqur edhe një bipolaritet politik të theksuar në diskursin e saj dhe planet se çfarë do të bëjë me mandatet.
Juristi Kreshnik Spahiu, teksa analizonte për Report Tv sjelljen e PD-së tre muajt e fundit dhe pritshmëritë prej saj për Kuvendin dhe sezonin e vjeshtës, ironizoi se deputetët demokratë me Berishën në krye, do pranojnë të hyjnë në Parlament dhe të marrin rrogën 3300 euro nga Edi Rama. Për sjelljen politike të PD-së dhe dhënien ‘borxh’ të deputetëve te LSI për të bërë grup parlamentar, ai nënvizoi:
“E para nuk është ligjore, e dyta as morale dhe e treta as logjike. E katërta, është antagoniste me diskursin e PD-së aktualisht. Në një anë thotë s’i njohim zgjedhjet, në anën tjetër bën grupet parlamentare për të marrë lekët. Nga një anë thotë do bëjmë protesta popullore në rrugë jashtë Parlamentit, nga ana tjetër i jep borxh deputetë partive të tjera. Një grup parlamentar merr 100 mijë euro më shumë, 6 grupe marrin 600 mijë euro, duke përfshirë të gjitha strukturat”.
Dhe pozitat parodike të opozitës kulmojnë nga pretendimet për farsë elektorale, tek moszhvillimi i asnjë proteste në rrugë për tre muajtë e verës, një antagonizëm që tani shoqërohet me deklaratat për protesta masive në vjeshtë, por edhe me hyrjen në Parlament për të marrë rrogën.
“Ka tre muaj nga zgjedhjet nuk ka bërë asnjë protestë, edhe pse flet për farsë elektorale. Kam një pyetje? A do shkojnë këta deputetë në Parlament të marrin rrogën 3,3 mln euro që u ka vendosur qeveria e Edi Ramës?! Këta deputetë duan që demokratët të rrinë rrugëve, të protestojnë te shtëpia e Berishës dhe të mos e humbasin rrogën e tyre. Morali i tyre duhet të ndahet nga këto interesa dhe të mbushin sheshet. Dy gjëra janë të sigurta në jetë, vdekja dhe xhaketat që deputetët e PD varin prej 35 vitesh te PD. Më aktiv ka qenë Pëllumb Pilinci, sesa PD-ja”, ironizoi Spahiu.
Dhe për t’i vënë ‘kapakun’, ai argumentoi se sipas gjasave, protestat e vjeshtës së PD-së do shtyheshin deri në Vitin e Ri, më pas për Bajram e më pas do ketë përsëritje thirrjesh për qeveri teknike apo zgjedhje të parakohëshme.
“Nëse ecim me këto kauza të PD-së, do kalojmë nga protestat e vjeshtës tek ato të Krishtlindjeve, tek të Bajramit dhe më tej asnjëherë, ku do dëgjojmë pretendime për qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme, pra do jetë një farsë”, përfundoi juristi analizën për situatën politike që po kalon opozita në Shqipëri. m.p.
