I përjetshmi i PD paralajmëron protesta: Jemi në diktaturë

Deputeti i PD, Tritan Shehu ka komentuar aktualitetin politik dhe ka paralajmëruar se aksioni opozitar do të vijojë me protesta.

Gjatë intervistës për “News 24”, Shehu e konsideroi si shkelje të Kushtetueses dekretimin e ministres virtuale “Diellës” dhe ndryshimin e Rregullores.

Gjithashtu Shehu i bëri thirrje njerëzve që të mobilizohen dhe tyë përballen me atë që ai e quan “neo-diktaturë”.

“Çdo gjë në këtë legjislaturë është anti-kushtetuese, që nisi që me dekretimin e ministres Diella. Rregullorja e Kuvendit u ndryshua në kohë rekord, ndërsa ligji e ka, që duhet së paku një javë kohë, për ndryshime. Edhe pse kanë mazhorancën, kanë frikë nga debati i hapur dhe nuk e duan debatin e hapur. Jemi përballë një regjimi. Duhet mobilizm njerëzor përballë neo-diktaturës. Nuk ka vullnet politik për të bërë punë, por ka vullnet për të lënë gjërat në degradim. Shëndetësia sot funksionin me parimin “paguaj ose vdis””, tha Shehu.

Shehu e cilësoi të drejtë raportin e DASH për Shqipërinë dhe veçanërisht gjendjen e krimit të organizuar, drogës dhe larjes së parave nga organizatat nëpërmjet ndërtimeve në Shqipëri.

“Kemi një vend me korrupsion dhe trafiqe, larje parash dhe krim, deformim i thellë i demokracisë. Raport i rëndësishëm ai i DASH që tregon nivelin e thellë të deformimit të demokracisë. Paratë që investohen vijnë nga larja e parave të krimit të organizuar dhe droga”, nënvizoi Shehu. m.p.