Më 17 tetor, sheshi Skënderbej do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbështetje të gjerë gjen kjo protestë nga qeveria shqiptare. Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jetë kryeministri Edi Rama, kreu i grupit socialist Taulant Balla, ministra e deputetë.
Ndonëse organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i kërkoi edhe Partisë Demokratike t’i bashkohet në protestë, nga selia blu përgjigja është negative.
PD është shprehur se arsyeja pse nuk do të marrë pjesë është prania e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, sipas demokratëve, është autor i një sërë goditjesh ndaj Kosovës.
“Ne e konsiderojmë Luftën e UÇK një luftë çlirimtare të një populli të pushtuar. I konsiderojmë të pafajshëm krerët e UÇK dhe shpresojmë e lutemi për pafajësinë e tyre. Por ne nuk mund të jemi bashkë me kreun e Narkos që i ka futur thika pas shpine Kosovës sa herë që i është dhënë mundësia, me atë që Kosovës i vendosi sanksione kur asnjë vend tjetër s’e sanksiononte. Ne nuk mund të jemi bashke me atë që Veriun e Kosovës e quajti “Tokë e Askujt”. Ne nuk mund të jemi bashkë me vëllain e Vuçiçit që për makiazh të imazhit të tij antishqiptar tenton të përdorë Luftën e UÇK e krerët e saj”,- thuhet në reagimin e PD-së. /K.M
