Last Updated on 16/10/2025 by EL
Analisti Lorenc Vangjeli ka reaguar ndaj nismës së Partisë Demokratike për të kërkuar shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e cilësuar atë si një akt të pamenduar.
Vangjeli theksoi se situata politike dhe aktorët duken se po përsërisin të njëjtin skenar të viteve të shkuara.
“Kjo që ndodhi sot ishte marrëzi. Marrëzia është e njëjtë, aktorët janë njëlloj si vite më parë,” deklaroi Vangjeli në emisionin “Trialog” në RTSH 1.
Analisti shprehu zhgënjimin e tij për angazhimin e palëve politike në një diskutim që, sipas tij, nuk ka thelb, duke iu referuar shprehjes popullore për “të gjetur në lum gurin që hodhi Gazi”.
Vangjeli e lidhi nismën e re me përpjekjen e mëparshme për shkarkimin e ish-Presidentit Ilir Meta, duke përdorur si shembull rastin kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi një dekret presidencial.
Vangjeli argumentoi se fakti që një dekret presidencial rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese (siç ka ndodhur edhe më parë) tregon se “institucionet funksionuan” dhe se dekreti ishte thjesht “i gabuar”. Ai kujtoi reagimin e fortë të PS-së pas njoftimit të Metës në qershor 2019 për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve, i cili çoi në një mocion shkarkimi.
Në përfundim, Vangjeli pranoi se shkelja e Kushtetutës mund të jetë evidente, por vuri në dyshim rëndësinë e saj ligjore për të justifikuar shkarkimin e Presidentit.
“Shkelja e kushtetutës është evidente, por s’është aq e rëndë sa të justifikojë shkarkimin,” përfundoi analisti./e.t
