Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë në studion e kanalit francez “TV5 Monde” në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Paqes në Paris, nismë e presidentit Emmanuel Macron.
Si ta rishpikim diplomacinë për të ndryshuar botën tonë, ishte një nga pyetjet kryesore në qendër të Forumit të Paqes, në ditën e dytë të diskutimeve dhe bisedimeve me pjesëmarrjen e shumë udhëheqësve. Gjatë intervistës për televizionin francez, Kryeministri Rama ka folur për çështjet ndërkombëtare, teknologjinë, klimën dhe zhvillimet në Shqipëri.
Rama u pyet për ministren e parë të Inteligjencës Artificiale, Diella i cili tha se “ajo është shtatzënë me 83 këshilltarë, djemtë dhe vajzat e saj të ardhshme, të cilët do të jenë asistentë të grupit tonë parlamentar, si pjesë e një projekti pilot për të krijuar një parlament të mbështetur nga inteligjenca artificiale”.
Lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Kreu i Ekzekutivit u shpreh se “kemi hapur 5 nga 6 grup-kapitujt dhe shpresojmë të hapim edhe të gjashtin, që do të ishte një rekord absolut sa i takon shpejtësisë”. Sipas tij, Europa, nga pikëpamja e zgjerimit po përjeton një zgjim. Rama nënvizoi se lufta në Ukrainë tregoi, ndër të tjera, nevojën për një Europë më të bashkuar dhe më të fortë.
Gjatë intervistës për televizionin francez, Kryeministri deklaroi se Evropa duhet të ketë planin e saj të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Rama iu përgjigj interesit të gazetarit francez edhe për investimin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit, ku theksoi se do të jetë risi për zonën e Mesdheut.
“Po punojmë gjithashtu mbi projektin që nuk përfshin vetëm ishullin, por edhe një pjesë të territorit përpara tij. Mund t’ju them se projekti po përmirësohet çdo ditë, dhe nëse arrijmë ta zbatojmë ashtu siç ne e kemi parashikuar, do të jetë një risi absolute për Mesdheun dhe një model për t’u ndjekur për sa i përket qëndrueshmërisë”, deklaroi Kryeministri Rama. m.p.
