Një skandal i gjerë korrupsioni që përfshin subvencione bujqësore greke ka dalë në pah, duke tronditur institucionet si në Athinë ashtu edhe në Bruksel. Sipas raportimeve, mashtrimet që lidhen me OPEKEPE—institucioni përgjegjës për shpërndarjen e fondeve bujqësore në Greqi, kanë shkaktuar humbje të mëdha ekonomike, me vlerë të përllogaritur në miliarda euro.
Hetimet e kryera nga EPPO (Prokuroria Evropiane) dhe OLAF (Shërbimi Evropian Kundër Mashtrimit) kanë zbuluar një rrjet të gjerë abuzimesh që nisnin nga deklarime të rreme të kullotave dhe tokave bujqësore, e deri te struktura të organizuara që arrinin të përfitonin padrejtësisht fonde të BE-së për vite me radhë.
Por si funksiononte skema e mashtrimit?
Sipas zbulimeve, skema përfshinte deklarime të rreme të sipërfaqeve bujqësore të cilat nuk ekzistonin në terren, kontrata të falsifikuara qiraje për toka “fantazmë”, përfitues të paidentifikueshëm ose të lidhur me rrjete të organizuara si edhe përdorim të dokumenteve të manipuluara për të marrë subvencione të konsiderueshme nga BE-ja.
OPEKEPE menaxhon çdo vit rreth 2.5 miliardë euro fonde evropiane, dhe një pjesë e tyre dyshohet të jetë shpërndarë në mënyrë të paligjshme. Kjo ka ngritur shqetësime serioze në nivel evropian për mungesë kontrolli, transparence dhe mekanizmash mbrojtës ndaj mashtrimeve.
Nga Greqia në Bruksel, një problem evropian
Mediat greke theksojnë se tashmë, ky nuk është vetëm një problem në Greqi. Institucionet e BE-së kanë paralajmëruar se korrupsioni dhe keqpërdorimi i fondeve bujqësore nuk janë raste të izoluara. Në fakt, raportet e fundit tregojnë se miliona euro humbasin çdo vit nga procedura të dobëta kontrolli dhe se disa vende të BE-së përballen me raste të ngjashme mashtrimesh.
Sistemi i subvencioneve ndonjëherë përdoret si mjet për interesat personale ose rrjete të organizuara.
E gjitha kjo ka çuar në presion të madh nga Brukseli për reforma të thella në mënyrën se si administrohen fondet bujqësore, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë evropian.
Pasojat për fermerët dhe ekonominë
Sipas mediave, fermerët e ndershëm grekë janë ndër më të prekurit. Për shkak të abuzimeve, një pjesë e fondeve që duhej të shkonin për ta, për të mbështetur bujqësinë reale, janë zhdukur nga skemat e mashtrimit. Kjo ka krijuar një mangësi financiare të madhe në një sektor që varet rëndë nga subvencionet e BE-së.
Fermerët shprehin shqetësim se subvencionet e tyre janë vonuar dhe se fondet reale janë zvogëluar.
Çfarë pritet të ndodhë tani
Hetimet janë në vazhdim dhe pritet ndjekje penale për zyrtarë dhe përfitues të përfshirë, kontrolle më të rrepta në menaxhimin e subvencioneve,reforma të brendshme në OPEKEPE dhe mbikëqyrje më të fortë nga institucionet e BE-së.
Brukseli kërkon një sistem modern dhe të sigurt që të parandalojë mashtrimet në të ardhmen, ndërkohë që Greqia përballet me presionin për të rivendosur besimin e humbur./ K.M
