Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se brenda grupit të tij nuk është shtruar aspak për diskutim çështja e largimit të Sali Berishës nga drejtimi i PD-së.
“Ky diskutim nuk është shtruar. Është një diskutim që mund të ishte që pas zgjedhjeve të 11 majit, nuk e ka kërkuar asnjë prej nesh këtë deri më sot”, tha ai.
Në News 24 ai theksoi se fokusi i vetëm i takimeve të tij me demokratët është ripërtëritja e partisë dhe rikthimi i meritokracisë. Sipas tij, PD në gjendjen aktuale nuk ka mundësi të fitojë, dhe qëllimi është që PD të jetë fituese.
“Qëllimi është që PD të jetë fituese, për mua. Kështu siç jemi PD nuk fiton dot. Jemi njëherë te qëllimi. A duhet të jetë fituese? Po. PD duhet të të jetë fituese duke i thyer disa kolona që e kanë dëmtuar partinë“, tha ai.
“Të kthejmë në shina meritokracinë”, tha Salianji më tej, ndërsa solli në vëmendje listat e deputetëve më 11 maj, për të cilat tha se ka reaguar me letër nga burgu, ku dhe ka deklaruar që “nuk jemi në rrugën e duhur”. M.P.
