Mbi 13 mijë familje shqiptare do të marrin sot dhe në ditët e ardhshme kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP). Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një video-mesazhi.
Ministri Lamallari shpjegon se fondi prej rreth 1.4 miliardë lekësh do të transferohet në llogaritë bankare të pronarëve. Ky është pjesa e mbetur prej 30% e kompensimit që u takonte subjekteve, duke e plotësuar shlyerjen përfundimtare si pronarë.
Ai thekson se ka kërkuar nga ATP-ja që procesi të kryhet me shpejtësi, transparencë dhe respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur detyrimin ndaj pronarëve dhe duke e avancuar standardin evropian për një shtet të së drejtës, ku prona dhe të drejtat themelore janë të garantuara.
Në fjalën e tij, Lamallari shprehet:
“Ky është një tjetër lajm i mirë për shumë familje që përfitojnë sipas ligjit kompensimin financiar nga shteti. Shteti shqiptar shlyen tani plotësisht të drejtën që u takon. Me fondin prej rreth 1.4 miliardë lekësh, mbi 13 mijë familje do të përfitojnë drejtpërdrejt. Ky nuk është vetëm një akt financiar, por një akt drejtësie dhe respekti për pronën, ligjin dhe qytetarin.”
Lamallari shton se kompensimi i sotëm për këto familje konsiderohet i kryer plotësisht dhe shënon mbylljen e një kapitulli të vjetër. Ai garanton se procesi i kompensimit për të gjithë pronarët do të vazhdojë, në përputhje me ligjin dhe me synimin për t’u përafruar me standardet evropiane.
Ministri përfundon duke theksuar rëndësinë e këtij procesi si pjesë të përparimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe si përmbushje e zotimit të qeverisë ndaj të drejtave ligjore të qytetarëve./KM
