Ai ishte i fundit nga figurat e mëdha të modës që simbolizuan markën “Made in Italy”.
nga Gioia Giudici
Ekziston një fotografi historike, e realizuar në vitin 1985 përpara Katedrales së Milanos, gjatë Javës së Modës, e cila portretizon së bashku ata që atëherë ishin stilistët kryesorë dhe që sot njihen si themeluesit e “Made in Italy”: nga Laura Biagiotti te Gianni Versace, nga Krizia te Gianfranco Ferré, nga Mila Schön te Giorgio Armani, nga Ottavio Missoni te Franco Moschino, nga Luciano Soprani te Valentino. Ky i fundit ishte i fundit i kësaj gjenerate të madhe krijuesish që ndërroi jetë dje, në qytetin e tij të lindjes, Romë.
Të shohësh sot këtë imazh historik, të realizuar nga gazetarja Adriana Mulassano, më sjell ndër mend një epokë të kaluar: një kohë kur “Made in Italy” përfaqësohej nga një grusht stilistësh të aftë t’i sillnin botës elegancën dhe stilin e vendit tonë.
Nga protagonistët e asaj fotografie të famshme, sot ka mbetur vetëm Paola Fendi, e lindur në vitin 1931. Disa ndërruan jetë para kohe, si Gianni Versace, i vrarë në vitin 1997 në moshën vetëm 51-vjeçare, apo kolegu i tij Franco Moschino, i cili vdiq nga AIDS në vitin 1994, në moshën 44-vjeçare. Të tjerë janë ndarë nga jeta vitet e fundit: Giorgio Armani, i cili ende drejtonte grupin e themeluar në vitin 1975, vdiq më 4 shtator, në moshën 91-vjeçare. Dje, gjatë Javës së Modës në Milano, koleksioni i parë që mbante emrin e tij, i projektuar nga pasardhësi Leo Dell’Orco, u prezantua në pasarelë – pikërisht në ditën kur ndërroi jetë Valentino, i konsideruar si “perandori i fundit i modës”.
Në atë fotografi mungojnë edhe emra të tjerë të njohur, si Etro, shtëpia e modës luksoze e themeluar në vitin 1968 nga Gerolamo “Gimmo” Etro si kompani tekstilesh, e cila u shit vetëm dhjetorin e kaluar te një grup investitorësh, ashtu siç kanë bërë shumë marka para saj, përfshirë Valentino, që sot operon nën holdingun MFI Luxury Srl, me Mayhoola si aksioner kryesor dhe Kering si aksioner pakicë. E njëjta gjë vlen edhe për Fendi, e themeluar në vitin 1925 nga Edoardo dhe Adele Fendi, por pjesë e grupit francez LVMH që nga viti 2001, si edhe për Gucci, në pronësi të grupit francez të luksit Kering.
Pasi u bë pronë e Paris Group me seli në Dubai, marka Gianfranco Ferré – themeluesi i së cilës ndërroi jetë në vitin 2007 – në thelb pushoi së funksionuari, ndërsa marka Krizia është zhdukur gjithashtu pas blerjes së saj nga Kina.
Marka Roberto Cavalli, e blerë në vitin 2019 nga miliarderi i Dubait Hussain Sajwani dhe sot e drejtuar artistikisht nga një talent si Fausto Puglisi, ka mbijetuar pas vdekjes së themeluesit të saj në vitin 2024.
Mes kaq shumë udhëkryqesh, mbeten pak siguri, duke filluar me grupin Prada, i cili vitin e kaluar u bë pronar i një tjetër simboli të madh të “Made in Italy”, Versace, si dhe me Dolce & Gabbana, për të përfunduar te vazhdimi respektues i punës së Laurës nga vajza e saj Lavinia Biagiotti, pas ndarjes nga jeta të së ëmës në vitin 2017.
Ka edhe familje të tjera që nuk iu janë nënshtruar thirrjes së sirenave të grupeve të mëdha dhe që ende ruajnë kontrollin e markave të tyre, si Zegna-t piemontesë. Por, krahasuar me atë pamje ikonike të vitit 1985, gjithçka ka ndryshuar: moda sot nuk është më në duart e krijuesve të guximshëm që u ngritën nga asgjëja, si Valentino apo Armani, por në duart e grupeve luksoze dhe fondeve të investimeve, me valsin e drejtorëve krijues që ndërrohen herë pas here sipas rezultateve financiare, pa u dhënë kohë për të ndërtuar dhe për të ndarë një histori të përbërë nga imazhe. Ky është thelbi i sotëm i modës.
Shumë kohë para se të kishin një produkt, Valentino, Moschino, Armani, Missoni, Ferré dhe Krizia kishin një ëndërr: ta bënin botën më të bukur, secili në mënyrën e vet. Me stilin e tyre të veçantë, ata interpretuan ndryshimet e një ose më shumë brezave, duke u veshur sipas kohërave në transformim dhe duke u dhënë grave e burrave një mënyrë për t’u identifikuar ose për t’u dalluar. Ishte një koncept i modës ku biznesi ekzistonte, sigurisht, por ishte në shërbim të kreativitetit. Dhe ndoshta ky ishte sekreti i vërtetë i “Made in Italy” – një sekret që sot ose nuk ekziston më, ose mbetet i ruajtur në duart e pak vetave që kanë mbetur, krenarisht të pavarur.
Burimi: ansa.it. Përgatiti për botim: L.V
