Rreth 40 familje nga fshati Gurras janë ngritur sot në protestë para Bashkisë së Pogradecit, duke kundërshtuar dhënien me qira të sipërfaqeve të tokës që ata pretendojnë se i kanë pasur në përdorim prej vitesh. Sipas banorëve, toka e ndarë me ligjin 7501 është dhënë nga bashkia me qira për një investitor privat, i cili synon të zhvillojë agroturizëm dhe pemëtari.
Kryeplaku i fshatit Gurras, Arjan Çinari, shprehet se një pjesë e banorëve e kanë refuzuar dikur tokën për shkak të pamundësisë për të përballuar taksat, por, sipas tij, ajo ka qenë gjithmonë në përdorim nga familjet e zonës. Ai thotë se sot banorëve u është hequr edhe asistenca ekonomike, ndërsa toka u është marrë dhe dhënë me qira një subjekti tjetër, pa u zgjidhur më parë konflikti i pronësisë. Sipas kryeplakut, nëse nuk ka një zgjidhje, banorët do të vijojnë protestat dhe nuk përjashtohet edhe bllokimi i rrugëve.
“Kjo parcelë toke që është dhënë me qira ka qenë e ndarë me ligjin 7501, disa e kanë refuzuar, disa jo. Sot i është prerë edhe asistenca, i është marrë edhe toka, vjen tjetri me qira e merr me kontratë dhe del që ai e ka tokën. Ka ardhur e ka folur vetëm me disa banorë, por nuk zgjidhet problemi kështu. Banorët do të ngrihen në protestë, do të bllokojnë rrugët si herët e tjera. Sot do të futemi të diskutojmë brenda në bashki”, shprehet Çinari.
Edhe banori Mariglen Krasta thotë se e ka tokën të ndarë me ligjin 7501 dhe ka aplikuar për certifikatë pronësie, por kërkesa i është refuzuar nga kadastra. Ai shprehet se ka paguar të gjitha taksat dhe e ka pasur tokën të mbjellë dhe të rrethuar, por, sipas tij, investitori i ka prerë pemët pa asnjë sqarim. Krasta kërkon transparencë nga bashkia për mënyrën se si është marrë ky vendim.
“Kam tokën të ndarë me ligjin 7501 dhe kam bërë aplikim për certifikatë. Më është refuzuar, ka dalë negative se kadastra thotë që e keni refuzuar, ndërkohë që unë e kam me tapi. Kam bërë aplikimin, taksat i paguaj të gjitha. E kam pasur të mbjellë e të rrethuar, por m’i ka prerë zotëria. Nuk e di unë si e ka bërë këtë gjë, të na sqarojë bashkia për këtë vendim se unë tokën e kisha në përdorim. Është e vetmja tokë që është ndarë për familje”, tha banori.
E njëjta situatë paraqitet edhe nga Suzana Torra, e cila thotë se toka është punuar prej vitesh nga familja e saj me lajthi dhe qershi. Ajo shprehet se pemët janë prerë pa dijeninë e tyre dhe se askush nuk i ka kontaktuar për këtë vendim, duke theksuar se nga ajo tokë siguronte të ardhurat për familjen.
“Kemi të njëjtin problem, tokën e kemi punuar me lajthi, qershi. E refuzuam atëherë se na kërkonin taksa, nuk kishim dhe i lamë, por i kemi përdorur dhe s’e dinim që do të ndodhte kjo gjë. Na i kanë prerë të gjitha pa dijeninë tonë. Edhe kryetari i fshatit duhet të vinte t’u thoshte që këto toka i kanë fshatarët. Me ato pemë e mbaja shtëpinë. Nuk jam kontaktuar nga asnjë, i mbushën xhepat mirë”, tha Torra.
Në protestë ishte i pranishëm edhe këshilltari i pavarur Arbër Male, i cili kërkon sqarime nga Bashkia e Pogradecit. Sipas tij, nëse toka është dhënë me qira, duhet të ekzistojë një vendim i Këshillit Bashkiak, në të kundërt bëhet fjalë për shkelje të hapur të ligjit. Male thekson se çdo kontratë e tillë duhet të kalojë për miratim në këshill dhe se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë.
“Banorët e fshatit Gurras janë mbledhur këtu për një problematikë që kanë me tokat e tyre shekullore. Një person, i cili pretendon se ka marrë toka me qira në atë fshat, ka shkuar dhe ka zaptuar tokat e fshatit. Bashkia duhet të bëjë sqarimin a ka dhënë kontratë, a ka vendim të Këshillit Bashkiak? Kjo kontratë nëse është dhënë, është në shkelje të plotë të ligjit. Çdo tokë që është në pronësi të shtetit, bashkia ka të drejtë ta japë me qira, por kjo kalon nëpërmjet vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak. Në dijeninë time nuk ka një vendim të këtyre të fundit, nëse kjo ka ndodhur kemi të bëjmë me shkelje të ligjit e duhet të mbajmë përgjegjësi”, u shpreh Male.
Në një komunikim me administratorin që ka marrë me qira tokën, ky i fundit është shprehur se prej 2 vitesh tashmë e ka në përdorim këtë tokë me kontratë të rregullt qiraje me Bashkinë e Pogradecit. Ndërsa në zonë do të kryejë një investim në agroturizëm dhe pemëtari. Gjithashtu ai u shpreh i gatshëm për çdo verifikim mbi pronën në fjalë. Burime nga Bashkia Pogradec bëjnë të ditur se do të ngrihet një grup pune për të verifikuar nëse banorët e fshatit kanë dokumente mbi këtë tokë. /Kb
