Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zbuluar se gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentin amerikan Donald Trump, është diskutuar për çështjen e Hagës dhe katër liderëve për të cilët prokuroria ka kërkuar 45 vite burg për secilin.
Osmani u shpreh e rezervuar dhe nuk dha shumë detaje rreth bisedës me Trump, por në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ajo deklaroi se ajo dhe Rama do të flasin më gjerësisht për këtë çështje kur të vijë koha e duhur. Presidentja theksoi gjithashtu se kanë marrë garanci të fuqishme nga presidenti amerikan.
“Kemi diskutuar. Unë ju kisha lutur për mirëkuptimin tuaj. Nuk besoj që është në interes të Kosovës të japim më shumë detaje rreth kësaj. Mirëpo dua të siguroj që i kemi diskutuar të dyja temat dhe kemi marrë garanci të fuqishme. Natyrisht, kur të vijë momenti, edhe unë, edhe kryeministri Rama do të flasim më në detaje, por e kemi informuar tashmë në mënyrë të detajuar për këto dy çështje. Sot ka qenë një ditë jashtëzakonisht e mirë për Kosovën”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës vlerësoi gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke nënvizuar se kjo ka ngritur të dy vendet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare dhe ofron mundësi për njohje të reja diplomatike.
“Jemi të bekuar. Si Kosova ashtu edhe Shqipëria jemi së bashku në Bordin e Paqes, si dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, çka nënkupton që dy shtetet tona po ngrihen në nivel më të lartë të përfaqësimit ndërkombëtar, falë besimit amerikan. Kjo është gjithashtu një mundësi e mirë për të diskutuar me shtete të tjera aleate dhe për të ecur përpara, brenda kuadrit të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja jonë, si herën e parë në Davos, ashtu edhe në Uashington, na ka hapur rrugë të rëndësishme me shtete të ndryshme, përfshirë edhe ato që nuk na njohin. Kjo vërtet ka ngritur Republikën e Kosovës në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare”, tha Osmani.
Çështja e Hagës u përmend gjithashtu nga kryeministri Rama gjatë takimit të Bordit të Paqes në Uashington, ku ai kërkoi ndërhyrjen e presidentit Trump. Ai rikujtoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte arrestuar pak para udhëtimit drejt SHBA për firmosjen e një marrëveshjeje me Serbinë, nga i njëjti prokuror, Jack Smith, i cili kishte hetuar edhe presidentin amerikan.
