Nga zogjtë tropikalë te peshqit e shkëmbinjve koralorë, natyra është një shpërthim ngjyrash. Megjithatë, shumica e gjitarëve duken pothuajse gjithmonë kafe, të zinj ose gri. Pse nuk kemi ngjyra të ndezura si shumë kafshë të tjera?
Përgjigjja lidhet me një kombinim faktorësh: gjenetikën, strukturën e qimeve dhe një histori evolutive që fillon që në epokën e dinosaurëve.
Monopoli i melaninës
Kafshët krijojnë ngjyrat në dy mënyra kryesore:
• Me pigmente– substanca kimike në lëkurë ose në qime
• Me struktura mikroskopike– forma të veçanta që reflektojnë dritën dhe krijojnë efekte si iridiscenca (shkëlqim me shumë ngjyra)
Shumë vertebrorë të tjerë përdorin pigmente si karotenoidet dhe pterinat për të prodhuar të kuqe dhe të verdha shumë të forta.
Gjitarët, nga ana tjetër, mbështeten pothuajse vetëm te melanina. Ky pigment i vetëm krijon gjithë gamën e ngjyrave që shohim te gjitarët: nga kafeja dhe e zeza deri te blondja. Kur mungon melanina, shfaqet ngjyra e bardhë, si te panda apo zebra.
Edhe struktura e qimeve te gjitarët është relativisht e thjeshtë, prandaj nuk mund të krijojë efektet spektakolare strukturore që shohim, për shembull, te puplat e zogjve.
Trashëgimia nga epoka e dinosaurëve
Pse gjitarët nuk zhvilluan më shumë ngjyra gjatë evolucionit?
Një teori shumë interesante lidhet me atë që quhet “bottleneck-i i natës”. Kur gjitarët e parë filluan të evoluonin, dinosaurët dominonin ekosistemet si grabitqarë. Për të mbijetuar, paraardhësit tanë kaluan mbi 100 milionë vjet duke jetuar kryesisht natën.
Një studim i vitit 2025 analizoi melanosomet (strukturat që mbajnë pigmentin) në fosile nga periudhat Jurasi dhe Kretace. Rezultati: pothuajse të gjitha ngjyrat ishin gri ose kafe.
Në një botë të dominuar nga errësira, të jesh shumëngjyrësh nuk ishte avantazhe ishte një rrezik.
Paradoksi i tigrit
Sot shumë gjitarë janë aktivë gjatë ditës, por ende mbajnë gjurmë të atij të kaluari evolutiv.
Shumica e gjitarëve kanë shikim dikromatik, që do të thotë se nuk dallojnë mirë ngjyrat e kuqe dhe portokalli siç bëjnë primatët ose zogjtë.
Kjo krijon situata interesante. Për ne, tigri duket portokalli shumë i ndezur. Por për prenë e tij, si drerët apo derrat e egër, tigri duket më shumë jeshil, duke u kamufluar në mënyrë perfekte në barin e lartë.
Nëse grabitqarët ose partnerët nuk mund të shohin disa ngjyra, evolucioni nuk ka arsye t’i zhvillojë ato.
Përjashtime të rralla
Ka disa raste të veçanta. Mandrillat kanë zona të lëkurës së zhveshur me ngjyra blu dhe të kuqe shumë të forta, sepse struktura e lëkurës reflekton dritën ndryshe nga qimet.
Shkencëtarët kanë zbuluar gjithashtu forma të fshehta iridiscence te disa brejtës afrikanë. Megjithatë, për shumicën e gjitarëve, paleta e ngjyrave mbetet e thjeshtë: kafe, e zezë, gri dhe e bardhë.
Në fund, arsyeja pse nuk shohim gjitarë rozë neon ose vjollcë nuk është mungesa e mundësive biologjike, por historia e gjatë evolutive që favorizoi kamuflimin dhe mbijetesën në errësirë.
