Yjet e Hollivudit Meryl Streep dhe Anne Hathaway kanë nisur turneun global promovues të filmit The Devil Wears Prada 2 në Mexico City.
Dy aktoret zhvilluan një ditë të ngarkuar aktivitetesh në kryeqytetin meksikan, duke marrë pjesë fillimisht në një konferencë për shtyp të mbajtur në Frida Kahlo Museum, i njohur ndryshe si “Shtëpia Blu”. Më pas, ato u shfaqën në premierën e mbrëmjes dhe një sfilatë mode të organizuar në Anahuacalli Museum.
Filmi i ri, i drejtuar nga David Frankel, vjen plot 20 vite pas suksesit të madh të The Devil Wears Prada, i cili u publikua në vitin 2006. Në vazhdim, Streep rikthehet në rolin e redaktores së ftohtë të modës Miranda Priestly, ndërsa Hathaway si ish-asistentja e saj Andy Sachs.
Ngjarja sjell përballjen e tyre me një tjetër ish-asistente, Emily, e luajtur nga Emily Blunt, tashmë rivale në botën e modës. Xhirimet e filmit janë realizuar në qytete të njohura si Nju Jorku dhe Milano.
Në kastin e filmit rikthehet edhe Stanley Tucci në rolin e Nigel, ndërsa projekti përfshin edhe emra të njohur si Lady Gaga, Lucy Liu, Justin Theroux dhe Simone Ashley.
“The Devil Wears Prada 2” pritet të nisë shfaqjet në kinematë botërore më 29 prill, duke rikthyer në vëmendje një nga historitë më ikonike të industrisë së modës./mxh
