Gazetari Mentor Kikia ka reaguar me tone kritike ndaj procesit të zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin dhe transparencën e kësaj gare.
Në një reagim të tij, Kikia shprehet se e gjithë situata ka qenë një farsë e paralajmëruar, ku për muaj të tërë është mbajtur në “alert” si partia, ashtu edhe opinioni publik, pa pasur realisht një garë të vërtetë.
“Po mirë more zotëri, kur nuk ke ndërmend të bësh zgjedhje, përse bën zhurmë?” – shprehet ai.
Sipas Kikisë, në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të mirëfillta partiake, pasi partitë funksionojnë më shumë si struktura të mbyllura sesa si organizata demokratike.
“Nuk bën askush zgjedhje partiake këtu. E dimë që partitë nuk janë demokratike, por kazerma ushtarake,” – thekson gazetari.
Ai kritikon gjithashtu faktin se për më shumë se një vit është krijuar një narrativë publike për një garë të fortë brenda PD-së, ndërsa në fund rezultati ishte i paracaktuar.
“Ke një vit që mban ‘alert’ partinë dhe publikun: sa e sa orë transmetime mediatike – ‘Gara me PD’, ‘Kush do të fitojë në PD’, ‘Kush janë rivalët e Berishës’. Jo po Salianji, jo po fraksionet. Jo ‘jemi të lirë, mund të kandidojë kushdo’,” – vijon ai.
Në fund, sipas tij, gjithçka rezultoi e pritshme.
“Qindra programe televizive janë realizuar me këtë temë. Dhe në fund, del sërish vetëm. Nuk kishim asnjë dyshim që kështu do të ndodhte, por sa u morëm me ‘zgjedhjet’ tuaja, mund të kishim bërë ndonjë gjë më të hairit,” – përfundon Kikia.
