Nga Leonard Veizi
Në Ballkan, historia ka qenë identitet, kufi, mbijetesë dhe shpesh armë politike. Për shekuj me radhë, origjina e shqiptarëve është diskutuar mes miteve, interpretimeve historike, gjuhësisë dhe arkeologjisë, ndërsa vetë shqiptarët kanë mbetur si një popull që duket sikur ecën paralelisht me hijet e lashtësisë së këtij rajoni.
Por tashmë debatit po i shtohet një dëshmitar i ri: ADN-ja…
…Një studim i publikuar së fundmi në revistën prestigjioze “Nature Human Behaviour” po konsiderohet ndër kërkimet më të rëndësishme të viteve të fundit mbi historinë biologjike të popullsive të Ballkanit. Dhe përfundimet e tij prekin drejtpërdrejt çështjen e vazhdimësisë së shqiptarëve në rajon.
Në një truall ku kufijtë kanë ndryshuar vazhdimisht, ku perandoritë kanë kaluar si stuhitë mbi të njëjtën tokë dhe ku popujt janë përzier, zhdukur apo transformuar, shqiptarët shfaqen si një nga popullsitë me vijimësinë më të qëndrueshme gjenetike në Ballkanin Perëndimor.
Vazhdimësia gjenetike
Në studimin “Ancient DNA evidence for the history of the Albanians”, një ekip ndërkombëtar studiuesish analizoi mbi 6 mijë genome të lashta dhe i krahasoi ato me ADN-në e shqiptarëve të sotëm. Rezultati kryesor i kërkimit është i qartë: shqiptarët modernë ruajnë një vazhdimësi të fortë gjenetike me popullsitë që banonin në Ballkanin Perëndimor gjatë Epokës së Bronzit dhe Epokës së Hekurit.
Sipas autorëve, ndërsa pjesë të mëdha të Evropës Juglindore u transformuan nga migrimet e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës së Hershme, një bërthamë paleo-ballkanike arriti të ruante një vazhdimësi të dallueshme biologjike. Pikërisht në këtë vazhdimësi vendosen shqiptarët e sotëm.
Studimi sugjeron gjithashtu se profili gjenetik karakteristik i shqiptarëve kishte filluar të formësohej qartë rreth shekujve VIII–IX të erës sonë.
Identiteti biologjik dhe historia
Ky zhvillim ka rëndësi jo vetëm për gjenetikën, por edhe për historinë, arkeologjinë dhe gjuhësinë.
Prej dekadash, studiues të ndryshëm kanë mbështetur tezën se shqiptarët lidhen me popullsitë paleo-ballkanike, përfshirë grupet ilire. ADN-ja nuk e zgjidh përfundimisht çdo debat historik, por ajo po sjell një shtresë të re provash që forcon idenë e vazhdimësisë së hershme të shqiptarëve në Ballkan. Në mënyrë domethënëse, studimi identifikon edhe një përzierje të moderuar me popullsi të Evropës Lindore gjatë Mesjetës, në masën 10–20 për qind. Kjo tregon kontaktet dhe lëvizjet historike të rajonit, por pa ndryshuar bazën paleo-ballkanike të popullsisë shqiptare.
“Identity-by-Descent”
Për të arritur këto rezultate, studiuesit përdorën metoda moderne të analizës së ADN-së së lashtë, përfshirë teknikën “Identity-by-Descent”, e cila lejon identifikimin e segmenteve gjenetike të trashëguara nga paraardhës të përbashkët përgjatë mijëra viteve. Krahasimi i materialit gjenetik të skeleteve të lashta me ADN-në e shqiptarëve modernë krijoi një hartë biologjike të vazhdimësisë njerëzore në Ballkanin Perëndimor.
Gjuha dhe origjina
Studimi prek edhe çështjen e gjuhës shqipe, e cila konsiderohet një degë më vete e familjes indo-evropiane. Sipas autorëve, vazhdimësia gjenetike në Ballkanin Perëndimor ndihmon në lokalizimin e hapësirës ku mund të jetë zhvilluar proto-shqipja, duke krijuar një urë të rëndësishme mes gjenetikës, arkeologjisë dhe gjuhësisë historike. Në këtë mënyrë, ADN-ja nuk po zëvendëson historinë, por po ndihmon në ndriçimin e saj me mjete që deri pak dekada më parë ishin të paimagjinueshme.
Epilogu
Përtej interpretimeve politike apo emocionale, studimi i publikuar në Nature Human Behaviour përfaqëson një moment të rëndësishëm në kuptimin e historisë së shqiptarëve.
Ai nuk flet për “pastërti racore” apo mite nacionaliste, por për vazhdimësi njerëzore në një nga rajonet më të trazuara të Evropës. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron pesha e tij më e madhe: në faktin se shqiptarët nuk shfaqen si një popull i ardhur vonë në Ballkan, por si pjesë organike e historisë së tij më të hershme.
