Kosova do të zhvillojë dy ndeshje në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Dardanët do të përballen fillimisht me Çekinë më 31 maj në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Skuadra e drejtuar nga Franco Foda do të ketë përballë një kundërshtar që ka siguruar pjesëmarrjen në Botëror pas suksesit ndaj Danimarkës në “play-off”.
Çekia aktualisht renditet në vendin e 41-të në klasifikimin e FIFA-s. Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në eliminatoret e Euro 2020, me nga një fitore për secilën skuadër, të dyja me rezultatin 2-1.
Më 7 qershor, Kosova do të luajë ndeshjen e dytë miqësore ndaj Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Dardanët kanë barazuar 1-1 ndaj Andorrës në Prishtinë dhe kanë fituar 3-0 në Andorra La Vella gjatë kualifikueseve të Euro 2024.
Përfaqësuesja e Kosovës do të grumbullohet më 27 maj për të nisur përgatitjet për këto dy takime dhe për sfidat e ardhshme në Ligën B, ku ndodhet në grup me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën./mxh
