Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, zhvilloi bisedime me homologun e tij indian Subrahmanyam Jaishankar të premten, në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të BRICS në Nju Delhi.
Takimi u zhvillua në një moment tensionesh diplomatike në Lindjen e Mesme, ndërsa grupi BRICS — i përbërë fillimisht nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut — është zgjeruar vitet e fundit duke përfshirë edhe Egjiptin, Etiopinë, Indonezinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një ditë më parë, Irani i kishte bërë thirrje Indisë, e cila do të marrë kryesimin e BRICS në vitin 2026, që të përdorë platformën për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët kundër veprimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në konfliktin e Gjirit Persik.
Megjithatë, në përfundim të takimit të ministrave të jashtëm në Nju Delhi, India publikoi një deklaratë të kryesimit në vend të një deklarate të përbashkët, duke theksuar se mes vendeve anëtare kishte dallime qëndrimesh për situatën në Lindjen e Mesme.
Sipas diplomacisë indiane, mungesa e një konsensusi të plotë pasqyron ndasitë brenda grupit BRICS për çështjet më të ndjeshme gjeopolitike globale./mxh
