Last Updated on 11/06/2026 by EL
Zyra e Shtypit e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) ka reaguar lidhur me lajmin mbi heqjen e statusit “Non Grata” për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në një përgjigje ekskluzive për Euronews Albania, Uashingtoni ka konfirmuar se janë aplikuar përjashtime të veçanta për disa nga vendimet e marra gjatë administratës së mëparshme, duke argumentuar se kjo lëvizje vjen në shërbim të interesave kombëtare të SHBA-së.
DASH sqaron se këto përjashtime prekin pikërisht përcaktimet e bëra nën nenin 7031(c), i cili rregullon sanksionet dhe ndalimet e hyrjes në territorin amerikan për zyrtarët e huaj.
“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime për disa përcaktime 7031(c) të vendosura gjatë administratës së mëparshme, sepse dhënia e përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Formulimi i përdorur nga Departamenti i Shtetit lë të kuptohet se strategjia diplomatike amerikane ka pësuar rishikime mbi baza të interesave gjeopolitike dhe kombëtare të vetë Uashingtonit./ET
