Anketimet e realizuara nga “Top Story” kanë sjellë në vëmendje qëndrimet e qytetarëve lidhur me protestën që po vijon prej tre javësh në kryeqytet. Sipas rezultateve të publikuara, rreth 90% e të anketuarve e mbështesin protestën për tre arsye kryesore: “mosbesimi ndaj institucioneve”, “mungesa e transparencës” dhe “kundërshtimi ndaj qeverisë”. Ndërsa pak më shumë se 10% e tyre e lidhin mbështetjen me çështje specifike si “mbrojtja e mjedisit” dhe “kundërshtimi ndaj projektit”.
Në këtë kontekst, analisti Arjan Curri e ka interpretuar protestën si një shprehje më të gjerë pakënaqësie ndaj sistemit politik dhe institucioneve. Sipas tij, çështja e flamingove nuk përbën thelbin e protestës, por vetëm një shkas fillestar.
“Nëse duhet ta marrim që 90% e të gjithëve kanë këtë qëndrim, pra që e mbështesin protestën sepse nuk i besojnë institucioneve, ka mungesë transparence apo kundërshtim ndaj qeverisë, është e qartë që janë kundër shtetit dhe establishmentit politik. E kemi thënë në fillim që flamingot ishin justifikim. Qartë këto protesta nuk janë tashmë vetëm për flamingot”, u shpreh Curri.
Ndërkohë, analisti Ervis Iljazaj e ka parë protestën si një reagim ndaj klasës politike në tërësi, duke theksuar përgjegjësinë e figurave kryesore të politikës shqiptare në krijimin e klimës aktuale të pakënaqësisë. Sipas tij, pjesëmarrësit në protestë ndihen të papërfaqësuar nga dy partitë kryesore.
“Ka një refuzim, del qartë që flamingot ishte pika që derdhi vazon sipas anketimit. Këtë protestë e shoh si kundërshtim ndaj klasës politike aktuale, binomit Rama-Berisha që ka marrë vendime për këtë vend pa u kundërshtuar për 30 vite.
Rama dhe Berisha e kanë provokuar shumë shoqërinë shqiptare, njëri thotë do të marrim mandatin e pestë dhe do qeverisim 50 vjet, tjetri thotë iki nga partia kur të më marrë zoti. Dihej që dikur do shpërthente.
Këta që dalin ndihen të gjithë të përjashtuar nga këto dy parti. Njëra parti nuk ka zgjedhje ka 16 vite, tjetri thotë bëra referendum”, tha Iliazaj./a.d
