Kryeministri Edi Rama u shpreh në episodin e sotëm të podcastit “Flasim”, se bota spostoi në Nartë një betejë kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Rama tha se ai dhe PS po punojnë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Gjithashtu shtoi se është i gatshëm për të diskutuar për një projekt që ende nuk është gati dhe sipas tij për mënyrën se si mund të bëhet më i shkëlqyer e jo për ta rrëzuar.
“Flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit dhe të nxitura nga interesa të tjera që nuk janë fare interesat tona, nuk janë fare interesat e Shqipërisë, në një betejë të globalizuar, jo se bota papritur u zgjua e alarmuar për fatin e flamingove, por se bota spostoi në Nartë një betejë të madhe kundër Presidentit të Amerikës për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Nartën dhe gjithë kjo urrejtje dhe ky mllef, dhe ky zemërim që ka natyrë politike, ideologjike, çfarë të doni, arsye që s’na interesojnë, krijoi kushtet që të hapej edhe një kanal, një revolucion imagjinar për ata që menduan gabimisht se u bë deti kos për lugën e ndryshkur të karrierave të tyre politike apo për partiçkat e tyre të reja, që u bënë shumë shpejt të vjetra, të vogla, që duan të rriten duke hedhur gurë, duke fshehur duart, duke nxjerrë një dorë, duke mbuluar një dorë tjetër.
Unë jam këtu, ne jemi këtu për të bërë së bashku më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin, për flamingot, por ama për të bashkëpunuar me realitetin, jo jashtë realitetit. Për të ndarë së bashku faktet dhe jo për të fluturuar në një territor ku faktet nuk kanë asnjë vlerë. Dhe mbi të gjitha për të diskutuar për një projekt, i cili ende nuk është gati dhe për t’u marrë me mënyrën se si projekti mund të bëhet sa më i shkëlqyer dhe jo për ta rrëzuar, ndërkohë që ai është në lindje e sipër.
Besoj që ky shënim, ose më saktë kjo hyrje në këtë bllok shënimesh, është e mjaftueshme për ta quajtur bllokun të mbyllur për sot, sepse çdo gjë tjetër e keni mësuar nga burimet e tjera të lajmeve, nëse keni mësuar, por edhe në mos e paçi mësuar akoma, është më pak e rëndësishme sesa prezantimi me Fabrice del Dongo”, tha Rama. /kb
