Last Updated on 21/06/2026 by EL
Ish-ministrja e kabinetit Rama dhe një prej zërave që muajt e fundit është pozicionuar gjithnjë dhe më kritike ndaj mënyrës së qeverisjes, ka reaguar sërish lidhur me atë çfarë është duke ndodhur përgjatë ditëve të fundit, ku mijëra protestues prej 22 ditësh tanimë janë duke kërkuar një “Shqipëri të re” si dhe një ditë pas mbledhjes së PS-së ku kryeministri e quajti “shpirt të humbur”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Elisa Spiropali i ka kthyer kështu një përgjigje Edi Ramës si dhe i ka tërhequr në të njëjtën kohë “veshin” edhe partisë politike ku dhe ajo bën pjesë. Ashtu sikurse dhe në reagimet e kaluara ajo ka vënë theksin te nevoja për një transformim të thellë politik dhe institucional, duke argumentur se vendi ka nevojë për një model më të hapur, më të drejtë, dhe të bazuar në merita.
Në të njëjtën kohë ajo ka kërkuar reflektim brenda Partisë Socialiste, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një procesi vetëpastrimi dhe rigjallërimi politik, në mënyrë që forca qeverisëse të rifitojë besimin te qytetarët.
“Ta bëjmë Marrëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh, se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin”, shkruan ajo ndër të tjera.
Ky reagim i Spiropali ka ardhur në një kohë kur vendi është duke u përballur çdo ditë me protesta si dhe pas mbledhjes së Partisë Socialiste ku ishte vetë kryeministri Rama i cili e thumboi publikisht ish-ministren e tij.
“Është edhe një thirrje për një Shqipëri të re, dhe ka dhe disa shpirtra të humbur në partinë tonë, që duan një Shqipëri të re. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar. Por kam frikë se nuk do vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është si të gjitha siluetat e flamingove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja.
Fatosi poshtë, flamingo lart dhe ‘hi hi hi hi Shqipëria e re’. Do kritikohemi e sulmohemi, por kemi detyrimin të mos zgjedhim rrugën e lehte, të mos zgjedhim të jemi popullorë, kur duhet të jemi të përgjegjshëm”, u shpreh kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit të PS.
Postimi i plotë i Spiropalit:
Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.
Shqipërinë që duam të ndërtojmë duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane.
Për ta arritur këtë, Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe.
Ta bëjmë Marëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh, se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin./et
