Last Updated on 27/06/2026 by Anisa
Hyrja e qytetit të Shkodrës po pasurohet me një qendër të re të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Punimet për ndërtimin e Muzeut të Lundrimit janë drejt finalizimit, duke marrë formën e një hapësire moderne që do t’i dedikohet historisë dhe traditës lundruese të rajonit.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë pamje nga ecuria e projektit në kantier. Kreu i qeverisë nënvizoi se ky muze nuk do të jetë thjesht një objekt kulturore, por një pikë e rëndësishme referimi për vizitorët.
“Me pamjen e Muzeut të Lundrimit, që po merr formë në hyrje të Shkodrës, si një hapësirë kushtuar historisë dhe trashëgimisë së lundrimit, që do të shndërrohet në një destinacion të ri kulturor e turistik për qytetarët dhe vizitorët, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Punimet në kantierin në afërsi të lumit Buna me investim rreth 2 milionë euro, kishin si afat përfundimi deri në shkurt 2026-të. Projekti financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimi Evropian.
Muzeu i Lundrimit do të jetë simbol i peizazhit urban dhe kulturor të qytetit të Shkodrës.
Projekti synon të kthehet në një shtyllë të rëndësishme për turizmin në Shkodër, duke sjellë disa përfitime kryesore për zonën.
Muzeu do të dokumentojë dhe shfaqë traditën e pasur të lundrimit të Shkodrës, një element kyç i identitetit të qytetit ndër shekuj.
Ky destinacion i ri pritet të rrisë kohëqëndrimin e turistëve vendas dhe të huaj në qytet.
Vendosja e muzeut në hyrje të Shkodrës i jep një pamje të re dhe të kuruar estetikisht njërës prej pikave kryesore të aksesit në qytet.
Me përfundimin e punimeve, Muzeu i Lundrimit pritet t’i shtohet listës së gjatë të atraksioneve të Shkodrës, duke u shndërruar në një urë lidhëse mes të kaluarës historike dhe të ardhmes turistike të rajonit./ad
