Last Updated on 14/07/2026 by Anisa
Partia Demokratike pritet të zhvillojë nesër procesin për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të strukturave të saj, ku vëmendja kryesore është përqendruar te gara për postet e nënkryetarëve.
Flamur Noka duket se është në rrugën e rikonfirmimit si nënkryetar i Partisë Demokratike. Deri më tani nuk është bërë publik emri i ndonjë kandidati që do ta sfidojë në këtë garë.
Po ashtu, zgjedhja e Gazment Bardhit si nënkryetar nuk pritet të sjellë surpriza. Bardhi mban aktualisht postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së dhe, sipas statutit të partisë, drejtuesi i grupit parlamentar ushtron njëkohësisht edhe funksionin e nënkryetarit të Partisë Demokratike.
Një nga pikëpyetjet mbetet nëse Agron Gjekmarkaj do të vijojë të mbajë detyrën e nënkryetarit, ndërsa në garë për këto poste pritet të përfshihen edhe Luçiano Boçi, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi.
Burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije se në përbërjen e re të drejtimit synohet të ketë edhe një përfaqësim të grave. Një prej emrave të përfolur për një post drejtues është Erisa Bajaziti, megjithëse deri në këtë moment nuk ka një konfirmim zyrtar për kandidaturën e saj.
Procesi i zgjedhjes së drejtuesve të rinj vjen në kuadër të riorganizimit të strukturave të Partisë Demokratike, pas zhvillimeve të fundit në jetën e brendshme të saj./ad
