Nga Leonard Veizi
Në vitin 1991, ndërsa Shqipëria po dilte nga errësira e diktaturës për të hyrë në epokën e lirisë dhe të premtimit për mirëqenie, në skenën e teatrit shqiptar u ngjit një prej dramave më tronditëse të shekullit XX: “Vizita e Damës Plakë” e dramaturgut zviceran Fridrih Direnmat. Me regji të Gëzim Kames dhe me interpretimin e paharrueshëm të Edi Luarasi e Robert Ndrenikës, shfaqja u bë një pasqyrë ku shoqëria shqiptare do të shihte fytyrën e saj të re.
Ishte një kohë e çuditshme për ta sjellë këtë vepër. Shqipëria sapo kishte filluar të zbulonte ekonominë e tregut, paranë, pronën private dhe etjen për konsum. Askush nuk e dinte se drama, e shkruar fillimisht në vitin 1956, nuk fliste vetëm për Zvicrën, por për çdo vend që do të detyrohej të zgjidhte mes ndërgjegjes dhe pasurisë. Sepse “Vizita e Damës Plakë” nuk është historia e një gruaje që kërkon hakmarrje; është historia e një qyteti që vendos ta shesë shpirtin.
Në qytetin e rrënuar të Gylenit mbërrin Klara Cahanasian, dikur vajza e përbuzur e atij vendi, tashmë një nga gratë më të pasura të botës. Ajo u ofron banorëve një miliard në këmbim të vrasjes së Alfred Ilit, burrit që dikur e tradhtoi, mohoi fëmijën e saj dhe bleu dëshmi të rreme për ta shkatërruar. Fillimisht, qytetarët revoltohen. Flasin për moralin, për drejtësinë, për dinjitetin. Askush nuk pranon të bëhet vrasës.
Por Direnmati e njeh mirë njeriun. Ai nuk e sulmon moralin me dhunë; ai e blen atë me këste. Pak nga pak, qytetarët fillojnë të blejnë këpucë të reja, pastaj mobilie, makina, marrin kredi që nuk mund t’i paguajnë. Askush nuk e ka vrarë ende Alfred Ilin, por të gjithë kanë filluar të shpenzojnë paratë e gjakut të tij. Ky është momenti më i frikshëm: krimi nuk fillon kur shkrepet arma, por kur ndërgjegjja gjen justifikimin.
Në fund, Alfred Ili nuk ekzekutohet nga një njeri, por nga një qytet i tërë, jo nga urrejtja, por nga interesi. Edhe më tronditëse është mënyra se si vrasja vishet me petkun e ligjit dhe të moralit. Kryetari i bashkisë, mësuesi, prifti, mjeku, të gjitha institucionet që duhet ta mbrojnë individin, dorëzohen përballë parasë. Askush nuk thotë më: “Po e bëjmë për një miliard”. Të gjithë thonë: “Po vendosim drejtësinë”. Ky është gjenialiteti i Direnmatit: paraja nuk blen vetëm njerëzit, ajo blen edhe gjuhën me të cilën njerëzit justifikojnë krimin.
Në këtë pikë, drama pushon së qeni teatër dhe bëhet histori. Sepse historia është e mbushur me qytete që kanë vrarë dikë për të shpëtuar veten. Herë një disident, herë një hebre, herë një armik politik, herë një gazetar, herë një pakicë. Gjithmonë në emër të një të mire më të madhe, gjithmonë me arsyetime fisnike. Direnmati na paralajmëron se qytetërimet nuk shemben domosdoshmërisht nga luftërat, por kur mësojnë ta quajnë krimin “domosdoshmëri”.
Klara Cahanasian nuk është thjesht një personazh; ajo është metafora e çdo pushteti që zotëron para të mjaftueshme për të blerë ndërgjegjen kolektive. Ndërsa Alfred Ili është çdo njeri që mbetet vetëm përballë turmës. Sa kushton ndërgjegjja e një shoqërie? Askush nuk zgjohet një mëngjes i gatshëm për të vrarë. Njerëzit mësohen gradualisht me kompromisin. Sot mbyllin sytë, nesër heshtin, pasnesër justifikojnë.
Kjo është arsyeja pse kjo dramë mbetet universale. Gyleni nuk ekziston në hartë, por ai mund të lindë kudo: në çdo shtet, në çdo qytet, në çdo institucion, madje edhe brenda secilit prej nesh. Direnmati nuk shkroi historinë e një qyteti të korruptuar; ai shkroi manualin se si korruptohet një shoqëri.
