Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median spanjolle ‘El Pais’.
Kreu i qeverisë u ndal te ndërthurja që ekziston prej vitesh në jetën e tij, mes politikës dhe artit.
Rama e cilëson politikën si formën më të lartë të anagazhimit dhe procesit intelektual, që e krahasoi me një luftë për të sjellë ndryshim.
“Politika ka shumë kuptim dhe është për të ardhur keq që e ka humbur. Është forma më e lartë e angazhimit dhe e procesit intelektual: duhet të bësh që gjërat të ndodhin, jo me bojë, as me piano, por me njerëz. Dhe kjo është shumë e vështirë. Është një luftë për të sjellë ndryshim”,-tha Rama.
Po ashtu, Rama u ndal edhe te pasioni i tij për artin, që e konsideron si një mënyrë për t’iu larguar “çmndurisë” që ofron politika.
“Arti është një përpjekje për të mos u çmendur, sepse politika mund të jetë një çmenduri. Dhe rreziku për t’u budallallepsur është i menjëhershëm kur merresh me politikë. E bëj sepse më bën të ndihem mirë. Është e ngjashme me atë që më ndodh kur duhet të marr infuzione për të lehtësuar migrenën. Është një mënyrë për t’u detoksifikuar, për të holluar helmin e politikës”,u shpreh kryeministri./Mxh
