Diplomatja portugeze Sofia Moreira de Sousa mori sot zyrtarisht detyrën si ambasadore e re e Bashkimit Evropian në Tiranë, pas dorëzimit të kredencialeve te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një ceremoni të zhvilluar në orën 09:30. Ajo zëvendëson italianin Silvio Gonzato, i cili e mbylli mandatin e tij në krye të Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Po kush është Sofia Moreira de Sousa?
Emërimi i saj u shpall më 4 qershor 2026 nga Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian, si pjesë e një rotacioni që përfshiu 33 ambasadorë dhe 7 zëvendës-shefa delegacionesh të BE-së në mbarë botën, në kuadër të rotacionit të rregullt diplomatik për vitin 2026.
Deri në këtë emërim, Moreira de Sousa ka drejtuar Përfaqësinë e Komisionit Evropian në Portugali. Më herët në karrierë ka shërbyer si Ambasadore e BE-së në Kepin e Gjelbër (Cabo Verde), si dhe ka pasur role të tjera brenda Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (SEAE).
Emërimi i saj u vlerësua edhe nga Presidenti i Portugalisë, António José Seguro, i cili e konsideroi “të një rëndësie të madhe” praninë portugeze në SEAE, si instrument themelor për afirmimin e BE-së si aktor global.
Balkani Perëndimor, prioritet strategjik
Në një bashkëbisedim publik para nisjes për Tiranën, ambasadorja ka theksuar rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin evropian, duke e përshkruar rajonin jo thjesht si “fqinjësi” të BE-së, por si një “enklavë” e rrethuar tërësisht nga shtete anëtare, çka, sipas saj, e bën çdo zhvillim në rajon pjesë të drejtpërdrejtë të çështjeve të brendshme evropiane.
Marrja e detyrës vjen në një moment të ndjeshëm politik në Shqipëri, me protesta të vazhdueshme në Tiranë kundër qeverisë. Delegacioni i BE-së në Tiranë mbetet një nga aktorët kryesorë diplomatikë që monitorojnë procesin e integrimit evropian të vendit, i cili prej vitesh mbetet vend kandidat për anëtarësim në BE./ad
