Pavarësisht një rezultati në total pozitiv, disa objektiva të Programit të Dytë të Politikave për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Gjelbër të mbështetur nga Banka Botërore po shfaqin vonesa.
Kjo lidhet kryesisht me raportimin e ndërmarrjeve shtetërore, gjurmimin e shërbimeve të Fondit Social dhe ngritjen e skemës së përgjegjësisë së prodhuesve për ambalazhet.
Asnjë nga ndërmarrjet shtetërore të përfshira në objektivin për raportimin jofinanciar të audituar nuk e kishte përmbushur kërkesën deri në gusht 2026, kundrejt objektivit prej katër ndërmarrjesh.
“Objektivi për raportimin jofinanciar të audituar nga ndërmarrjet shtetërore ka pak gjasa të arrihet, duke pasur parasysh afatet e raportimit dhe fushën më të ngushtë të subjekteve që pritet të mbeten objekt i kërkesave të rishikuara,” thuhet në raport.
Banka Botërore ka ofruar asistencë teknike për tre ndërmarrje shtetërore për përgatitjen e informacionit jofinanciar të vitit 2024, por pasqyrat financiare të vitit 2025 dhe raportet përkatëse nuk janë audituar ende. Ndryshimet ligjore pritet gjithashtu të ngushtojnë numrin e ndërmarrjeve që do t’i nënshtrohen këtij detyrimi.
Dobësi shfaqen edhe në monitorimin buxhetor. Vetëm 42% e 33 programeve buxhetore në ministritë përkatëse kishin tregues të performancës klimatike, kundrejt objektivit 60%. Banka thotë se faza e ardhshme duhet të përmirësojë metodologjinë dhe gjurmimin e shpenzimeve të lidhura me klimën.
Në Fondin Social, numri i shërbimeve të raportuara nga qeveritë vendore me një linjë të veçantë buxhetore mbetet zero, kundrejt objektivit 10.
“Këto të dhëna nuk bëjnë dallimin mes qendrave ose shërbimeve individuale të financuara,” thuhet në dokument.
Vonesa ka edhe në menaxhimin e mbetjeve. Deri në gusht, 0% e ambalazheve të vendosura në tregun shqiptar mbuloheshin nga organizata të licencuara dhe funksionale të përgjegjësisë së prodhuesit, ndërsa objektivi është 50% deri në dhjetor 2026.
Aktet nënligjore për krijimin e këtyre organizmave pritet të miratohen deri në fund të vitit. Banka paralajmëron se, edhe nëse kjo ndodh, “arritja e objektivit mund të ndodhë pas datës aktuale të mbylljes së programit”.
Vlerësimi në total është i kënaqshëm
Pavarësisht vonesave, Banka e vlerëson si “të kënaqshëm” progresin drejt objektivave dhe zbatimin e përgjithshëm, ndërsa risku mbetet “i konsiderueshëm”. Shtatë nga 13 treguesit e rezultateve janë arritur ose tejkaluar dhe kuadri makroekonomik konsiderohet i përshtatshëm.
Mes rezultateve pozitive, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin dhe të ardhurat personale arritën 5.8% të PBB-së, mbi objektivin 4.83%. Të gjithë aplikantët për përfitime të aftësisë së kufizuar po vlerësohen sipas sistemit të ri, ndërsa numri i grave mbi 65 vjeç që përdorin shërbime formale të kujdesit për të moshuarit arriti 1,557, mbi objektivin 1,130.
Energjia është ndër fushat me ecurinë më të fortë. Kapaciteti i instaluar nga burimet e rinovueshme, pa hidrocentralet, arriti 637.9 MW, kundrejt objektivit 250 MË, ndërsa tregtimi përmes ALPEX arriti 911.4 GWh deri në korrik. Konsumi në ndërtesat publike ka rënë, por mbetet mbi objektivin e programit.
Në mjedis, Shqipëria ka përmbushur objektivin për dy raporte të verifikuara të emetimeve dhe ka arritur 70% të operatorëve të licencuar për gazet e fluorinuara, mbi objektivin 60%.
Programi, i miratuar në shkurt 2025, është 100% i disbursuar dhe mbyllet më 31 dhjetor 2026. Ai u mbështetet nga një kredi e Bankës Botërore e miratuar fillimisht në vlerën 120 milionë dollarë, ndërsa raporti i fundit tregon 131.92 milionë të disbursuara, ose 100% të financimit/ Monitor/k.m
