Last Updated on 20/10/2026 by Anisa
Pandeli (Pandi) Carapuli, një nga biznesmenët më të fuqishëm dhe më të përfolur në Shqipëri, është paraqitur paraditen e kësaj të marte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ai shihet duke ecur krah një personi tjetër, që mendohet të jetë avokati i tij.
Kjo nuk është hera e parë që Carapuli kapërcen derën e SPAK, pasi ai është duke u hetuar për një vilë, që dyshohet se i ka dhuruar ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në kompleksin e vilave “White Rocks” në Gjilekë, Dhërmi.
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme, kompania “Eurocol” ka përfituar tendera gjatë kohës kur institucionin e drejtonte ish-drejtoresha e Albcontrol, Belinda Balluku.
Hetuesit dyshojnë se në këmbim të favorizimit në këto procedura prokurimi, është dhënë një përfitim i paligjshëm në formën e një vile luksoze në fshatin Gjilekë, Dhërmi, në kompleksin “White Rocks”.
SPAK pretendon se vila, me vlerë rreth 145 mijë euro, është përfituar si ryshfet dhe më pas është tentuar të fshihet përmes kontratave dhe marrëveshjeve fiktive, duke përdorur edhe emra të tretë.
Në këtë skemë, sipas hetimit, janë përfshirë edhe veprime juridike që synonin të maskonin pronësinë reale të pasurisë, ndërsa vila është sekuestruar me vendim të Prokurorisë së Posaçme si pjesë e hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash./ad
