Industria e mirëqenies po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje me një trend të ri të quajtur “terapia me dritë të kuqe”, e cila po promovohet si një metodë për përmirësimin e shëndetit, rigjenerimin e qelizave dhe rikuperimin e trupit.
Në një qendër mirëqenieje në Mançester, përdoruesit shtrihen për disa minuta në pajisje që lëshojnë dritë të kuqe, me pretendimin se kjo ndihmon në riparimin e qelizave dhe përshpejtimin e proceseve të rikuperimit të muskujve dhe lëkurës.
Sipas specialistëve të fushës, drita e kuqe dhe ajo infra e kuqe depërtojnë në shtresa të ndryshme të trupit, ku mund të ndikojnë në prodhimin e energjisë qelizore dhe në rigjenerimin e indeve të dëmtuara. Megjithatë, efektet e saj varen nga gjatësia e valës, intensiteti i pajisjes dhe zona e trupit që trajtohet.
Disa përdorues thonë se kanë përjetuar përmirësim në rikuperimin fizik dhe në pamjen e lëkurës, duke e përfshirë këtë terapi në rutinën e tyre të përditshme të stërvitjes dhe kujdesit personal.
Megjithatë, ekspertët e dermatologjisë dhe neuroshkencës mbeten të kujdesshëm. Ata theksojnë se studimet aktuale janë ende të kufizuara dhe shpesh me rezultate jo të njëtrajtshme, ndërsa mungojnë prova të forta klinike që mbështesin pretendimet e industrisë.
Sipas tyre, efektet mund të ndryshojnë nga personi në person, ndërsa pajisjet shtëpiake nuk kanë gjithmonë fuqinë apo saktësinë e pajisjeve mjekësore.
Edhe pse disa kërkime shkencore sugjerojnë potencial në fusha si rigjenerimi i lëkurës, reduktimi i inflamacionit apo rikuperimi muskulor, specialistët theksojnë se nevojiten studime më të thelluara për të konfirmuar përfitimet reale.
Ndërkohë, përdorimi i terapisë me dritë të kuqe po zgjerohet në qendra mirëqenieje dhe studio sportive, duke u shoqëruar me një debat të vazhdueshëm mes entuziazmit të industrisë dhe kujdesit të komunitetit mjekësor./mxh
