Në një kohë kur gjithçka lëviz me shpejtësi dhe çdo udhëtim ka një destinacion, në qytetin Baden të Zvicrës ka nisur një eksperiment i pazakontë: një autobus publik pa itinerar dhe pa ndalesë përfundimtare, ku rëndësi nuk ka mbërritja, por përvoja. Ky është “Linja 0”, një projekt i artistëve konceptualë binjakë Frank dhe Patrik Riklin, i menduar për të sfiduar rutinën dhe për të rikthyer lidhjen njerëzore.
Pasagjerët që hipin në këtë autobus nuk dinë se ku do të shkojnë. Por, siç duket, pikërisht kjo është ajo që i tërheq më shumë.
“Thjesht isha shumë kurioze të dija se çfarë ishte, dhe në fakt e dua spontanitetin. Më pëlqen kjo ide”, shprehet një pasagjere.
Në autobus, atmosfera është ndryshe nga çdo linjë tjetër urbane. Njerëzit flasin me njëri-tjetrin, qeshin, këndojnë dhe ndajnë përvoja, diçka gjithnjë e më e rrallë në transportin publik.
“Jam kurioze, më pëlqejnë surprizat. Një shoqe më pyeti nëse doja të vija dhe mendova se ishte një mundësi e mirë”, shton një tjetër.
Për shumë prej pasagjerëve, kjo eksperiencë është çliruese.
“Do ta rekomandoja patjetër. Ishte shumë spontane dhe e paplanifikuar. Kënduam në autobus, folëm me të gjithë, ndezëm dritat e telefonave në tunel, ishte e mrekullueshme. Madje bëmë edhe një festë me akullore, ishte shumë bukur”, vijon një tjetër.
Ideatorët e këtij projekti thonë se “Linja 0” është një mënyrë për të dalë nga përditshmëria që shpesh kthehet në një rutinë të mërzitshme.
“Është një autobus i zakonshëm, por pa destinacion dhe pa orar. Njerëzit ftohen të dalin nga rutina dhe të lejojnë veten të surprizohen”, thotë artisti Frank Riklin.
Sipas tij, në një botë të dominuar nga efikasiteti dhe planifikimi, ky projekt i fton njerëzit të heqin dorë nga kontrolli.
“Zakonisht jemi mësuar të shkojmë nga pika A në pikën B sa më shpejt të jetë e mundur. Këtu, na kërkohet të lëmë veten të lirë. Nuk ka rëndësi mbërritja, por përjetimi”, shton Riklin.
Një filozofi që duket se po funksionon. Edhe rastet e papritura bëhen pjesë e magjisë së këtij udhëtimi.
“Një çift i moshuar hipi gabimisht në autobus ditën e parë. I pyeta nëse e dinin ku ishin. Ata thanë: ‘Shpresojmë të arrijmë në vendin e duhur’. E morën me humor dhe e kthyen në aventurë”, shprehet artisti Patrik Riklin.
Në fund, ajo që mbetet nuk është destinacioni, por lidhja mes njerëzve.
“Të gjithë janë të lumtur dhe flasin me njëri-tjetrin. Është më zhurmshëm, por është bukur. Ka shumë pozitivitet”, thotë një pasagjer.
“Linja 0” do të funksionojë falas për tre javë, ndërsa organizatorët shpresojnë ta zgjerojnë këtë ide edhe në pjesë të tjera të Zvicrës.
Por përtej një eksperimenti artistik, ky projekt prek një realitet shumë më të thellë të kohës sonë: vetminë.
Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, ku sipas studiuesve njerëzit kalojnë pjesën më të madhe të kohës së lirë para ekraneve, lidhjet reale njerëzore po zbehen.
Autobusi pa destinacion ka një filozofi të thjeshtë në vetvete: për të gjetur njëri-tjetrin, duhet të humbasim rrugën.
Këtë udhëtim të pazakontë, njerëzit po e shijojnë, sepse jo vetëm po njihen me të tjerët dhe historitë e tyre, por ata po argëtohen në praninë e të panjohurve duke përjetuar thjeshtësinë dhe fuqinë e të qenit bashkë./mxh
