Kreu i PD-së, Sali Berisha do të shkojë sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën Partizani. Ish-kryeministri, i akuzuar për korrupsion, është në gjykim për këtë dosje së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
