Last Updated on 02/04/2026 by Anisa
Një ditë pas njoftimit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë për një rrezik të mundshëm nga Irani, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, iu drejtua me një mesazh të qartë deputetit Fatmir Mediut, i cili kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Peleshi bëri thirrje për kujdes me deklaratat publike, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë në fjalët e politikanëve me përvojë:
“Ju bëj thirrje shumë serioze që si politikan me eksperiencë të ngriheni në lartësinë e përgjegjësisë të fjalëve që thoni, sepse kanë pasoja në opinion, sepse e thënë nga një deputet merret seriozisht dhe mund të shkaktojë panik edhe pse mund të jetë një deklaratë pa baza. Thirrje të tilla serioze t’i konsultojmë në biseda jo publike, sepse populli mendon se e keni menduar gjatë nuk e dinë se shpesh herë krijohet për politikë”, tha Peleshi.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Besford Lamallari, sqaroi situatën duke theksuar se struktura antiterror janë në komunikim të vazhdueshëm me zyrën e sigurisë së ambasadës amerikane dhe se masat e sigurisë janë marrë më herët, pavarësisht paralajmërimit publik:
“Jo më larg se mbrëmjen e djeshme, i kam kërkuar strukturave të antiterrorit të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së ambasadës amerikane. Shqipëria dhe Policia e Shtetit prej kohësh kanë marrë masa të shtuara sigurie, bazuar në zhvillimet ndërkombëtare dhe konfliktin në Lindjen e Mesme.
Policia është e angazhuar plotësisht. Ky fakt nuk lidhet me postimin e djeshëm, pasi këto masa janë marrë më herët. Ekziston gjithashtu një plan veprimi që përfshin të gjitha strukturat përkatëse. Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët dhe turistët, pavarësisht postimeve që mund të lexoni dhe që vijnë nga Irani”, u shpreh Lamallari.
Peleshi dhe Lamallari nënvizuan rëndësinë e veprimeve të koordinuara dhe të bazuara mbi fakte nga institucionet përkatëse, duke qetësuar qytetarët se masat e sigurisë janë në fuqi dhe të qëndrueshme.
