Nicholas Abbott ka deklaruar se çështja e “non gratës” për liderin e opozitës Sali Berisha në Mbretërinë e Bashkuar mbetet në fuqi, duke theksuar se ajo nuk është një çështje politike, por ligjore.
Në një intervistë për emisionin “Off The Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, ambasadori i Britanisë së Madhe u shpreh se statusi aktual mund të ndryshojë vetëm në rast të një sfide ligjore.
A është “non grata” një çështje e mbyllur përfundimisht?
“Në Mbretërinë e Bashkuar një çështje e tillë nuk është politike, është një çështje ligjore. Pra, për sa më përket mua, vetëm nëqoftëse mund të ketë ndonjë sfidë ligjore, do të mbetet si e tillë”, deklaroi ambasadori britanik.
I pyetur nëse mund të ketë rishikime apo masa të ngjashme për politikanë të tjerë shqiptarë, Abbott dha një përgjigje më diplomatike.
“Është një pyetje që shpesh më bëhet dhe nuk e di çfarë përgjigje të jap”, tha ai.
Gjatë intervistës, ambasadori britanik u pyet edhe për rolin e opozitës dhe raportet me Partinë Demokratike.
“Opozita në Parlament dhe partitë opozitare kanë një rol kyç për të luajtur… Opozita duhet të jetë aty për të sfiduar qeverinë dhe për të ofruar alternativa”, tha ai, duke shtuar se shpesh opozita në Shqipëri “është më shumë e fokusuar te bllokimi sesa te alternativat”.
Sa i përket sjelljes së klasës politike shqiptare, ambasadori britanik theksoi:
“Mendoj se shqetësimi im më i madh do të ishte që shpeshherë klasa politike kapet me të kaluarën… dhe realiteti i botës ku jetojmë është që gjithnjë e më shumë problemet që na prekin janë përtej asaj çfarë ne shohim me sy”.
Intervista e ambasadorit britanik vjen në një moment kur debati për raportet e politikës shqiptare me partnerët perëndimorë, çështjen e “non gratave” dhe të ardhmen e opozitës vijon të mbetet pjesë e fortë e diskutimit publik në vend./A.D
