Ish-deputeti socialist, Anastas Angjeli, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Angjeli shprehet se Nano ishte i mirë për të gjithë, vizionar, koleg i jashtëzakonshëm dhe bashkëpunëtor i rrallë.
Ish-deputeti shprehet se Fatos Nano ishte lideri reformator i modernizimit dhe europianizimit të Partisë Socialiste. Sakaq, Angjeli i shpreh ngushëllimet familjarëve të shokut dhe mikut të tij të shtrenjtë.
“Lamtumirë, shoku dhe miku im i shtrenjtë. Lamtumirë, bashkëluftëtari më i mirë në betejat për demokraci. Lamtumirë, lideri reformator i modernizimit dhe europianizimit të Partisë Socialiste.
Lamtumirë, njeriu i mirë për të gjithë, vizionar dhe koleg i jashtëzakonshëm, bashkëpunëtor i rrallë në të gjitha detyrat, funksionet e larta drejtuese shtetërore për zhvillimin e gjithanshëm të Shqipërisë.
Lamtumirë, mik dhe frymëzues që do të mbetesh i paharruar dhe përgjithmonë në kujtesën dhe zemrat tona!
Ndaj dhimbjen time të thellë me familjarët e tu, të afërmit, miqtë, shokët.
Ta kesh të lehtë dheun e vendit tënd!
Miku yt,
Anastas Angjeli”-shkruan Angjeli në rrjete sociale.
