Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka reaguar ndaj kritikave për stilin e lojës së kombëtares në Kupën e Botës. Tekniku italian deklaroi se përvoja e tij në futboll është përgjigjja më e mirë për komentet që vijnë nga jashtë.
Ancelotti theksoi se ka qenë i përfshirë në më shumë se 1.400 ndeshje gjatë karrierës së tij si trajner. Sipas tij, i vetmi person që ka më shumë përvojë në pankinë është Alex Ferguson, i cili ka drejtuar mbi 2.000 ndeshje. Trajneri brazilian pranoi se dëgjon këshilla nga të gjithë, por shtoi se vetëm Ferguson mund t’i japë këshilla nga një pozicion i krahasueshëm me të tijin.
“Në Itali thonë se të gjithë burrat duan të bëhen trajnerë dhe të gjitha gratë arkitekte. Nuk e di nëse e kuptoj futbollin apo jo, por askush nuk mund të më gjykojë për këtë.
E vetmja gjë që është e sigurt është se jam përgatitur për më shumë se 1 mijë e 400 ndeshje. Ndoshta kjo nuk mjafton për ta kuptuar futbollin, por sigurisht që është një përvojë e madhe.
Vetëm një person është përgatitur për më shumë ndeshje se unë: Alex Ferguson, i cili ka drejtuar mbi 2.000 ndeshje.
Unë pranoj këshilla nga të gjithë, por i vetmi që mund të jetë personi i duhur për të më dhënë këshilla është Alex Ferguson.
Jam njëqind për qind i sigurt se nuk jam gjeni, por në të njëjtën kohë jam njëqind për qind i sigurt se nuk jam budalla”, ka deklaruar Ancelotti./mxh
